Shkup, 30 korrik, Zhurnal.mk – Seanca e sotme e Kuvendit, e dedikuar për pyetjet deputetësh, u karakterizua nga procedura të ndërlikuara, pauza të shpeshta, replika të ashpra dhe përplasje për interpretimin e Rregullores, ndërsa në fund u realizua vetëm një pyetje deputetësh.
Deputetët e bllokut opozitar shqiptar e bllokuan seancën, duke akuzuar se kryeministri Hristijan Mickoski nuk i është përgjigjur me shkrim deputetes Ilire Dauti (Aleanca Shqiptare) për pyetjen e parashtruar në seancën e kaluar, ndonëse afati rregullor prej 20 ditësh ka skaduar.
I vetmi që arriti të parashtrojë pyetje dhe të marrë përgjigje nga kryeministri ishte deputeti i LSDM-së, Venko Filipçe, por opozita nuk i lejoi mundësinë të deklarojë nëse ishte i kënaqur me përgjigjen.
Me këtë, bllokadat e seancave nga opozita shqiptare vazhduan, të shoqëruara me akuza ndaj kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, se po e shkel Rregulloren.
Gashi, nga ana e tij, njoftoi se zgjidhja do të kërkohet në Komisionin për çështje rregullore.
