PD denoncon dhënien e 88,5 hektarëve në Vlorë: Do e çojmë në SPAK

Nga D. V.
821 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 11 gusht, Zhurnal.mk – Partia Demokratike do të referojë në SPAK procedurën për vënien në dispozicion të rreth 88,5 hektarëve pasuri shtetërore në Vlorë për projektin “TEDA/RAMS Free Zone”.

Sekretarja e PD-së për Çështjet e Pronave dhe Luftën kundër Korrupsionit, Endira Bushati akuzoi qeverinë se ka vënë në dispozicion të kompanisë “RAMS Albania” një sipërfaqe prej rreth 88,5 hektarësh me tarifën 1 euro dhe përmes një procedure jokonkurruese.

Në një deklaratë për mediet, Bushati u shpreh se, më 11 shkurt 2026, Komiteti i Investimeve Strategjike i dha “RAMS Albania” statusin “Investim/Investitor Strategjik” për një projekt me vlerë të deklaruar 100 milionë dollarë dhe sipërfaqe totale rreth 158,2 hektarë.

Bushati tha se, më 30 qershor 2026, qeveria transferoi në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike një sipërfaqe prej 885.557,6 metra katrorë, ose rreth 88,5 hektarë pasuri shtetërore në Vlorë.

Sipas saj, më 30 korrik territori u shpall “Zonë e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik, Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”, ndërsa pasuria shtetërore u vu në dispozicion me tarifën 1 euro/kontrata dhe “RAMS Albania” u përcaktua si zhvillues përmes një procedure jokonkurruese.

Bushati theksoi se, “Partia Demokratike do t’i drejtohet SPAK-ut, duke kërkuar hetimin e plotë të procedurës: nga dhënia e statusit strategjik, te transferimi i pasurisë shtetërore, përzgjedhja jo konkurruese e zhvilluesit dhe kushtet e vënies së pronës publike në dispozicion”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër