Editorial / Pse po na ikin infermierët dhe çfarë duhet bërë që t’i mbajmë ata në sistemin shëndetësor!

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 tetor, Zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut ka një problem shumë serioz me mungesën e infermierëve, teknikëve, mamive dhe infermierëve të stomatologjisë. Kjo nuk është për faktin se nuk prodhojmë sa duhet infermierë të tillë, por kjo ndodh për faktin se ata pasi mbarojnë shkollimin, ikin nga vendi dhe synojnë Europën. Jo të gjithë shkojnë për qejf, shumica shkojnë sepse nuk shohin perspektivë ne vendin tonë, nuk merret parasysh kontributi i tyre ose kërkohet një librezë partiake për punësim. Prandaj, shteti duhet të gjejë format e duhura të cilat do t’i mbajnë personat e kualifikuar në vend, shkruan “Zhrunal.mk”.

Ikin afër 40 infermierë çdo muaj!

Çdo muaj, rreth 40 infermierë largohen nga sistemi publik i shëndetit. Disa kërkojnë kushte dhe paga më të mira në vendet evropiane, të tjerë shkojnë në spitale private. Mungesa ndihet më shumë në njësitë e kujdesit intensiv, ka mungesë operatorësh instrumentesh në sallat e operacionit dhe ka mungesë infermierësh në njësitë e hospitalizimit.

Problemi nuk është vetëm se ata po largohen jashtë vendit, por edhe në institucione private shëndetësore, dhe po largohen nga profesioni në përgjithësi. Prandaj është shumë e rëndësishme të ketë autonomi në profesion, një mjedis pune të shëndetshëm, kushte më të mira pune, të reagohet menjëherë, në mënyrë që të mos jemi një vend që do të mbetet pa infermierë.

Fatkeqësisht nuk ka mungesë studentësh, por gjëra të tjera po na ndodhin. Ne po shkollojmë kuadro për jashtë vendit, dhe kjo nuk duhet të ndodhë. Prandaj, qeveria duhet të përpiqet për të siguruar kushte, duke hapur metoda të reja dhe gjithçka që është e nevojshme në kujdesin shëndetësor për t’i mbajtur këta infermierë në vend.

Në konkurse s’pranohen ata që e meritojnë

Ajo që është e rëndësishme tani janë konkurset e vazhdueshme, por jo vetëm të shpallen si konkurse, por nevojitet zbatim me sigurim buxhetor të punësimit. Dinamikë punësimi dhe numra të saktë. Të dimë se sa infermierë nevojiten, sa janë planifikuar të punësohen dhe me çfarë dinamike do të punësohen.

Shumica e atyre që kryejnë shkollimin adekuat kur vjen koha që të punësohen fatkeqësisht edhe pse bëjnë punë vullnetare me vite të tëra, ata anashkalohen dhe punësohen persona që kanë librezë partiake. Kjo shkakton revoltë dhe hidhërim, duke i detyruar ata të largohen nga vendi dhe mos të kthehen kurrë.

Sistemi shëndetësor përballet me një mungesë të theksuar personeli, rreth 50% më pak infermiere nga sa ka nevojë reale. Në vend ka rreth 9,200 infermierë, por për funksionimin normal të institucioneve të kujdesit shëndetësor, nevojiten dyfishi i tyre.
Kjo bën që ato që qëndrojnë të ngarkohen me orare të gjata dhe punë jashtë kapaciteteve normale. Gjithashtu, paga mesatare e infermiereve në Maqedoninë e Veriut mbetet nën mesataren e përgjithshme dhe nuk mbulon koston në rritje të jetesës. Ndryshimi i madh financiar bën që vende si Gjermania, Zvicra apo Kroacia të jenë shumë më tërheqëse.

Çfarë duhet bërë që të mbajmë infermierët dhe të përmirësojmë sistemin shëndetësor

Për të kapërcyer problemin e largimit të infermierëve, është e nevojshme të miratohet një ligj për infermierinë që do ta rregullojë këtë profesion për sa i përket arsimit, detyrave të punës dhe përgjegjësive.

Kjo nënkupton zgjidhjen e statusit juridik dhe profesional të infermierëve si dhe njohjen e specializimeve, siç është për shmebull për infermierët në kujdesin intensiv apo anestezi, gjë që aktualisht nuk vlerësohet siç duhet në sistem.

Meqenëse spitalet vuajnë nga mungesa e theksuar e stafit, ku një infermiere shpesh bën punën e tre personave, atëheë nevojitet transformim i menjëhershëm i kontratave të përkohshme në kontrata të përhershme pune për të siguruar stabilitet, rritjen e kuotave dhe bashkëpunimin me Fakultetet e Mjekësisë në Shkup, Tetovë dhe Shtip për të krijuar dhe mbajtur kuadro të reja në vend.

Infermierët dhe mjekët kërkojnë që të ketë spitale më të pajisura që ofrojnë mbrojtje dhe siguri gjatë punës, si dhe mbi të gjitha nevojitet depolitizim të menaxhimit të spitaleve, që avancimi në karrierë të bëhet mbi bazë meritash dhe trajnimesh profesionale, jo mbi baza partiake. Nëse shteti nuk zbaton këto reforma strukturore, spitalet publike rrezikojnë të mbeten pa personelin kryesor që mban në këmbë sistemin shëndetësor, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër