Tiranë, 11 gusht, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar sot ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç për lumin Ibër, duke i cilësuar ato si një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.
Sipas Berishës, deklaratat e Vuçiç përbëjnë një sinjal alarmi për Kosovën dhe të gjithë rajonin.
Kryetari i PD-së Sali Berisha e cilëson deklaratën si një ‘kërcënim të hapur çnjerëzor me frymëzim mitologjik’, ndërsa akuzon Vuçiçin për një politikë të drejtuar nga urrejtja ndaj shqiptarëve.
“Do t’ju shterojë ujin! Ky është kërcënimi i fundit i padronit të Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thekson Berisha.
“Ky kërcënim i hapur çnjerëzor me frymëzim mitologjik dëshmon dhe një herë se Presidenti i Serbomadhisë Vuçiç me imagjinatën e tij të sëmurë është i aftë që në një urrejtje të pakufishme ndaj shqiptarëve të planifikojë përdorimin edhe të etjes si armë genocidale ndaj etnisë së tyre dhe vendit fqinj”, shton Berisha.
Ai shprehet se, Partia Demokratike dënon me forcë një kërcënim të tillë si akt destabilizues për paqen dhe stabilitetin në rajon.
