Tiranë, 13 gusht, Zhurnal.mk – Forcat e Armatosura janë angazhuar në terren në lagjen Abaze të Krujës, në mbështetje të operacionit për përballimin e zjarrit dhe mbrojtjen e banorëve dhe pronës.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se efektivët po punojnë së bashku me strukturat e tjera të emergjencave për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të mbajtur situatën nën kontroll.
“Në kushtet e një situate jo të lehtë në lagjen Abaze në Krujë, Forcat tona të Armatosura janë në këta momente në terren në mbështetje të operacionit në përballimin e flakëve dhe mbrojtjen e banorëve dhe pronës”, u shpreh Nufi.
Ai theksoi se Forcat e Armatosura vijojnë të jenë në gatishmëri dhe të ndërhyjnë në mbështetje të strukturave civile në zonat e prekura nga zjarret.
Sipas ministrit, operacione po zhvillohen gjithashtu në Lurë, Mallakastër, Vaun e Dejës dhe Mirditë, si dhe në Priskë, Daias dhe Farkë.
Nufi vlerësoi angazhimin e forcave zjarrfikëse të strukturave vendore dhe të Forcave të Armatosura, duke theksuar se falë ndërhyrjes së tyre situata në shkallë kombëtare po menaxhohet dhe, sipas tij, nuk paraqitet rrezik për jetën dhe banesat e qytetarëve.
Operacionet vijojnë me synim izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave aktive, ndërsa prioritet mbetet mbrojtja e komuniteteve dhe pronës.



