Editorial / Pse partitë shqiptare akuzojnë njëra tjetrën kur nuk kanë pasur asnjë peshë reale për ALTA Bankën!

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 13 nëntor – Problemi me ALTA Bankën në Maqedoninë e Veriut, e cila selinë kryesore e ka në Manastir, ka shpërthyer si pasojë e drejtpërdrejtë e falimentimit dhe mbylljes së bankës së saj amë në Serbi. Partitë opozitare kanë akuzuar qeverinë dhe Bankën Popullore për lejimin e hyrjes së kapitalit të dyshimtë nga Serbia, duke kërkuar llogari se si u lejua blerja e bankës kur pronari i saj kishte probleme reputacioni. Partitë shqiptare kanë shkëmbyer akuza e fyerje të shumta se kush është fajtori për hyrjen e kësaj banke në Maqedoninë e Veriut. Fatkeqësisht, gati më shumë se një muaj pozitë e opozitë po meren me ALTA bankën. Përse i gjithë ky pluhur nuk u bë kur u hap kjo bankë, por tani kur ajo është rrugës bankrotit! Prandaj, kjo duhet të mbyllet, të merren institucionet shtetërore me këto procedura dhe partitë shqiptare të merren me punët tjerë më të rëndësishme para përfundimit të vitit, shkruan “Zhurnal.mk”.

Çfarë ndodhi me bankën serbe në Maqedoninë e Veriut!

Problemi me ALTA Bankën në Maqedoninë e Veriut ka shpërthyer si pasojë e drejtpërdrejtë e falimentimit dhe mbylljes së bankës së saj amë në Serbi. Pronari i bankës, Davor Macura, u arrestua në Serbi nën dyshimet e prokurorisë për keqpërdorime të rënda financiare dhe nxjerrje të paligjshme të mbi 380 milionë eurove nga trezori i bankës.

Më 1 nëntor 2026, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut vendosi bankën e Manastirit nën administrim të përkohshëm dhe revokoi pëlqimin për pjesëmarrjen e kapitalit serb. Kjo masë u mor për të mbrojtur depozituesit dhe për të parandaluar rrjedhjen e parave, çka shkaktoi radhë të gjata dhe ankth te qytetarët. Klientëve iu vendos një kufi javor për tërheqjen e parave dhe pagesat me kartela deri në 15,000 denarë.

Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se banka do të shpëtohet dhe nuk do të mbyllet, duke njoftuar se së shpejti do të hapet ankandi për shitjen e saj. Të paktën dy banka të tjera kanë shprehur interesim për ta blerë ALTA Bankën në Maqedoninë e Veriut, ndërsa pritet që ky proces të përmbyllet në fund të nëntorit ose në fillim të dhjetorit 2026.

Si u lejua të hynte kapitali serb!

Partitë opozitare kanë akuzuar qeverinë dhe Bankën Popullore për lejimin e hyrjes së kapitalit të dyshimtë nga Serbia, duke kërkuar llogari se si u lejua blerja e bankës kur pronari i saj kishte probleme reputacioni.

Qeveria ka hedhur poshtë akuzat, duke theksuar se në momentin e hyrjes në treg, pronari i bankës i kishte plotësuar të gjitha kriteret ligjore dhe se opozita po përpiqet të krijojë panik të panevojshëm te qytetarët.

ALTA Banka nga Beogradi hyri zyrtarisht në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut në tetor të vitit 2025, duke blerë bankën ekzistuese Stopanska Banka SHA Manastir.
Guvernatori Trajko Sllaveski ka mbrojtur vendimin, duke sqaruar se Stopanska Banka e Manastirit ishte në prag të falimentimit dhe se hyrja e ALTA Bankës në atë moment përmbushte të gjitha kriteret ligjore për ta shpëtuar bankën vendore.

Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, deklaroi se Guvernatori i Bankës Popullore nuk e kishte konsultuar fare për hyrjen e ALTA Bankës. Megjithatë, opozita maqedonase publikoi procesverbale të mbledhjeve të qeverisë që tregonin se qeveria kishte miratuar konkluzione pikërisht me propozimin e saj, çka ngriti akuza për fshehje informacioni.

Në gusht të vitit 2025, “Alta Group” kishte kërkuar papritur ndërprerjen e procedurës për të ndryshuar strukturën e blerësit brenda grupit, një lëvizje që Komisioni i Letrave me Vlerë nuk e përmendi në njoftimet e tij publike, duke krijuar mjegull rreth pronësisë së vërtetë. Pyetja që ngritet është se si i kaloi filtrat e sigurisë dhe Bankës Popullore një pronar serb që kishte pasur ndalesa të mëparshme dhe lidhje të ngushta politike në Serbi, duke e cilësuar këtë si hyrje të kapitalit të dyshimtë dhe vendim të marrë nën ndikim politik, shkruan “Zhurnal.mk”.

Pse akuzohen midis veti partitë shqiptare për një bankë serbe!

Përplasja mes partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut, VLEN dhe BDI, lidhur me ALTA Bankën ka në themel luftën për të hequr nga vetja stigmën e afrimit të “botës serbe” dhe kapitalit të dyshimtë.

Megjithatë, kur shihet arkitektura reale e institucioneve në Maqedoninë e Veriut, pesha e tyre vendimmarrëse në këtë proces ka qenë shumë më e kufizuar dhe formale sesa paraqitet në debatet e ashpra televizive.

Në praktikë, as BDI-ja në vitin 2023 dhe as VLEN-i në vitin 2025 nuk kanë pasur fuqinë kryesore vendimmarrëse për hyrjen ose ndalimin e një banke të huaj. Pesha e tyre ka qenë e vogël për këto arsye institucionale.

Sipas ligjeve të Maqedonisë së Veriut, vetëm Guvernatori i Bankës Popullore ka kompetencën ekskluzive për të verifikuar origjinën e kapitalit, reputacionin e pronarit dhe për të dhënë licencën ose pëlqimin paraprak që një bankë e huaj të blejë një bankë vendore. Banka Popullore është institucion i pavarur, i udhëhequr tradicionalisht nga kuadro maqedonas, ndërsa në vitin 2025 guvernator ishte Trajko Sllaveski, ish ministër i financave nga radhët e VMRO-DPMNE-së.

Edhe pse në vitin 2023 ministritë ekonomike drejtoheshin nga BDI, dhe në vitin 2025 VLEN kishte ministra e zëvendëskryeministra, qeveria nuk jep licenca bankare. Vendimet e qeverisë në këtë fushë janë ose menaxhim i aksioneve të vogla shtetërore jashtë vendit ose procedura standarde administrative që vijnë si pasojë e miratimeve të Bankës Popullore, shkruan “Zhurnal.mk”.

Pse partitë shqiptare akuzojnë njëra tjetrën kur nuk kanë pasur asnjë peshë reale për ALTA Bankën!

Debati mes VLEN-it dhe BDI-së është kryesisht betejë e brendshme elektorale se kush është më “patriot” dhe më larg ndikimit serb, ndërsa vendimet reale për lejimin e ALTA Bankës janë marrë nga Banka Popullore.

Kur dihet se vendimmarrja reale ka qenë në duart e Bankës Popullore dhe qendrave kryesore maqedonase, përplasja mes partive shqiptare shndërrohet në një teatër politik që nuk prodhon asnjë rezultat konkret.

Duke u marrë me pyetjen “kush firmosi një dokument teknik më 2023 apo më 2025”, debati publik largohet nga institucionet që kishin detyrë ligjore ta ndalonin këtë kapital, e që në këtë rast është Banka Popullore, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe organet e sigurisë.

Kur dy partitë kryesore shqiptare, VLEN dhe BDI, akuzojnë njëra-tjetrën për “tradhti” apo “afrim të kapitalit serb”, qytetari humbet fokusin se kush realisht po e menaxhon krizën sot dhe kush i hapi rrugë blerjes.

Në vend të akuzave të ndërsjella për nënshkrime që nuk kishin fuqi bllokuese, partitë shqiptare do të bënin mirë nëse do të kërkonin bashkërisht përgjegjësi se pse filtrat e sigurisë së shtetit dështuan në verifikimin e pronarit të bankës, ose të fokusohen te garantimi i depozitave, zhbllokimi sa më i shpejtë i llogarive të qytetarëve dhe bizneseve, dhe sigurimi që banka të shitet te një investitor serioz e i besueshëm.

Deri tani “Zhurnal.mk” shumë herë ka shkruar që politikanët të meren me çështje më të mëdha e jo debate të kota, kur dihet se asnjëra palë s’ka pasur fuqi vendimarrëse.

Prandaj, ky debat mbetet i kotë për qytetarin, pasi nuk i kthen paratë dhe nuk rregullon sistemin, por mbetet i dobishëm vetëm për partitë, të cilat e përdorin si mjet të radhës për të mbajtur të mobilizuar militantët e tyre partiak, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër