Mexhiti në Bursa: Shqiptarët në Turqi, urë bashkëpunimi për revitalizimin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Bursa/Turqi, 14 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në kuadër të vizitës zyrtare në Turqi, zhvilloi një takim me Şahin Biba, me prejardhje nga Prizreni, i cili sot drejton Bursën. Në fokus të takimit ishte angazhimi i personaliteteve shqiptare në Turqi dhe shfrytëzimi i përvojës së Bursës për restaurimin dhe revitalizimin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit.

Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për sigurimin e ekspertizës profesionale dhe mbështetjes financiare për realizimin e projektit. Mexhiti theksoi se lidhjet e shqiptarëve me vendin e prejardhjes përfaqësojnë një potencial të rëndësishëm për ndërtimin e partneriteteve konkrete, duke i shndërruar ato në ura bashkëpunimi për ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë historike e kulturore.

Në këtë drejtim, është paraparë krijimi i një këshilli për lobim dhe mbështetje të projektit, ku do të përfshihen Şahin Biba, zëvendësministri i Kulturës, Rexhep Alltepe, Bajram Vardar dhe personalitete të tjera publike me prejardhje nga Ballkani. Ky angazhim synon zgjerimin e mbështetjes institucionale dhe sigurimin e partnerëve të rinj për realizimin e një projekti që do të ndërthurë ruajtjen e autenticitetit historik të Çarshisë me zhvillimin e saj ekonomik dhe turistik.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër