Bukuresht, 13 gusht, Zhurnal.mk – Rumania do të ndalojë sot centralin e saj të vetëm bërthamor, “Cernavoda”, pasi niveli i Danubit, ujërat e të cilit përdoren për ftohjen e reaktorëve, ka rënë në një nivel rekord.
Ministria rumune e Energjisë njoftoi se reaktori i dytë i centralit do të fiket në mënyrë të kontrolluar për shkak të kushteve të pazakonta hidrologjike.
Reaktori i parë, me kapacitet 700 megavat, ishte ndalur që në fund të korrikut për të njëjtën arsye.
Centrali i “Cernavodës” prodhon zakonisht rreth 20% të energjisë elektrike të Rumanisë, ndaj mbyllja e tij përbën një sfidë për furnizimin me energji.
Qeveria ka deklaruar se mungesa do të kompensohet përmes energjisë së erës, burimeve të tjera alternative dhe importeve, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm me konsumin e energjisë.
Autoritetet rumune kishin ndërmarrë më parë një sërë ndërhyrjesh për të vonuar mbylljen e reaktorit të dytë.
Punimet, që kushtuan më shumë se 2,0 milionë euro, përfshinë gërmime në shtratin e lumit, shpërthimin e një shkëmbi dhe vendosjen e katër platformave lundruese të mbushura me gurë, me qëllim drejtimin e një sasie më të madhe uji drejt centralit.
Rumania nuk është i vetmi vend që po përballet me këtë problem.
Hungaria po përpiqet të shmangë një mbyllje të plotë të centralit bërthamor të “Paksit”, i cili gjithashtu ftohet nga ujërat e Danubit.
Centrali, që siguron rreth një të tretën e nevojave elektrike të vendit, është tashmë pjesërisht i ndalur.
Me parashikimin se niveli i Danubit do të vazhdojë të bjerë, autoritetet hungareze kanë urdhëruar ndërtimin e një pragu nënujorpranë “Paksit”.
Kriza nxjerr në pah një problem në rritje për centralet bërthamore që varen nga lumenjtë për ftohje; valët ekstreme të të nxehtit dhe thatësirat mund të kërcënojnë funksionimin e tyre pikërisht në periudhat kur kërkesa për energji është më e lartë.
