Tiranë, 25 gusht Zhurnal.mk – Qeveria shqiptare ka përgatitur projektvendimin për miratimin e rregullores së re “Për monitorimin, raportimin dhe verifikimin e shkarkimeve të gazeve serrë nga transporti detar”. Ky projektligj synon krijimin e një sistemi kombëtar të harmonizuar për matjen e saktë të emetimeve mjedisore nga anijet tregtare, duke përafruar plotësisht legjislacionin vendas me Rregulloren (BE) 2015/757.
Nisma e hartuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme Detare përcakton detyrime të drejtpërdrejta për të gjitha anijet me tonazh bruto 400 GT e lart që lundrojnë drejt, brenda ose nga portet shqiptare, përfshirë edhe platformat në det të hapur (offshore).
Monitorimi do të mbulojë dioksidin e karbonit, metanin dhe protoksidin e azotit.
“Projektakti synon rritjen e transparencës, përmirësimin e efikasitetit energjetik në flotën tregtare dhe përgatitjen e sektorit detar shqiptar për kërkesat e integrimit evropian në kuadër të Kapitullit 14 të transportit.”, theksohet në relacionin e projektvendimit.
Zbatimi dhe ndarja e përgjegjësive institucionale
Zbatimi i rregullores së re ngarkohet mbi tre institucione kyçe shtetërore. Drejtoria e Përgjithshme Detare (DPD) që është përgjegjëse për shqyrtimin dhe miratimin e planeve të monitorimit të paraqitura nga kompanitë detare. Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) e cila do të mbledhë të dhënat e verifikuara dhe do të hartojë raportet periodike kombëtare mbi emetimet e gazeve serrë. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit (DPA) e cila do të kryejë akreditimin e verifikuesve të pavarur që do të certifikojnë raportet mjedisore të operatorëve.
Projektvendimi nuk krijon kosto shtesë buxhetore, pasi mbulimi teknik do të kryhet nga kapacitetet ekzistuese njerëzore të DPD-së dhe ekspertët e Konventës MARPOL.
Kompanitë detare do të përballen me kosto administrative për hartimin e planeve të monitorimit. Për operatorët që do të kërkojnë personel të dedikuar, kostoja mesatare e punësimit të një eksperti teknik mjedisor llogaritet në 1.300.000 deri në 1.500.000 lekë në vit, megjithëse një pjesë e kompanive zotërojnë tashmë stafin e nevojshëm.
