Lionel Messi ka njoftuar tërheqjen nga Kombëtarja e Argjentinës pak më shumë se një muaj pas humbjes së Argjentinës ndaj Spanjës në finalen e Kupës së Botës.
Legjenda e futbollit botëror, i cili ka shënuar 125 gola në 207 paraqitje për kombëtaren e vendit të tij, e bëri të ditur vendimin përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Pas gjithë kësaj kohe që nga finalja dhe pasi kam menduar shumë për këtë, dua t’ju tregoj të gjithëve se po tërhiqem nga kombëtarja”, ka shkruar Messi.“Është një vendim që më ka lënduar dhe ende më dhemb thellë, por ky është momenti i duhur.”
Messi ka theksuar se gjatë gjithë karrierës së tij me Argjentinën ka dhënë gjithçka për fanellën e kombëtares dhe për tifozët.
“Betohem se gjithmonë kam dhënë gjithçka, jo vetëm gjatë këtyre viteve të fundit kur fituam gjithçka, por edhe më herët. Gjithmonë kam luftuar dhe kam dhënë gjithçka për këtë fanellë, për t’ju sjellë lumturi dhe për t’ju bërë krenarë që jeni argjentinas përmes futbollit”, është shprehur ai.
Messi, i cili me Argjentinën ka fituar dy Copa America dhe Kupën e Botës 2022, e ka pranuar se fundi i këtij kapitulli është i dhimbshëm.
“Nuk ka mbetur shumë kohë dhe kapituj të ndryshëm po përfundojnë. Ky është një kapitull që më dhemb shumë. E dua, e kam dashur dhe gjithmonë do ta dua të jem pjesë e kombëtares. Kam dhënë gjithçka që kisha dhe nuk kam më asgjë për të dhënë”, ka shkruar ai.
Ai gjithashtu e ka vlerësuar gjeneratën e re të futbollistëve argjentinas.
“Ka edhe shumë lojtarë të rinj të talentuar që po vijnë dhe që e meritojnë të jenë këtu”, ka thënë Messi.
Argjentina kishte fituar tri turne të mëdha radhazi nga viti 2021 deri më 2024, me Messin si kapiten dhe lider të skuadrës. Seria e sukseseve u ndërpre në finalen e Kupës së Botës, ku Spanja triumfoi në vazhdime falë golit të Ferran Torresit.
Messi ka shënuar tetë gola në Botërorin 2026, duke e çuar në njëzet e një numrin e golave të tij në Kupat e Botës. Ai gjithashtu është bërë lojtari i parë që ka shënuar në pesë edicione radhazi të turneut.
Fituesi i tetë Topave të Artë ka falënderuar tifozët për mbështetjen gjatë dy dekadave me kombëtaren.
“Faleminderit për gjithë dashurinë gjatë këtyre njëzet viteve. Do të më mungojë t’ju dëgjoj nga brenda. Tani do të jem njëri prej jush, gjithmonë duke mbështetur nga jashtë, në momentet e mira dhe edhe më shumë në ato të këqijat”, ka shkruar Messi.
Ai ka falënderuar gjithashtu familjen, trajnerët, bashkëlojtarët dhe drejtuesit me të cilët ka punuar gjatë karrierës.
“Largohem i qetë dhe krenar, duke e ditur se së bashku me bashkëlojtarët ju dhamë momente që dikur i kishim ëndërruar. Ishte e çmendur ta përjetoja gjithë këtë me ju. Ju dua!”, ka shkruar ai.
Messi ka treguar se deklaratën për tërheqjen e kishte shkruar më 21 korrik, vetëm dy ditë pas finales së Botërorit.
“E shkrova këtë tekst më 21 korrik, dy ditë pas finales. Sot, pas asaj që ndodhi me babanë tim, jam edhe më i bindur për këtë vendim sesa më parë”, është shprehur ai.
