Rama: Inspektimet me kamera trupi dhe me paralajmërim, gjoba është arma e fundit

Nga D V
661 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 2 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se kontrollet e inspektimeve duhet të kalojnë testin e “Besës” dhe nuk duhet të ketë më asnjë kontroll pa paralajmërim.

Kryeministri Rama zhvilloi sot një takim të zgjeruar me inspektorë, ku merrte pjesë edhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj dhe Inspektori i Përgjithshëm Dashnor Sula.

Në takim, kryeministri theksoi nevojën për një qasje të re në procesin e inspektimit, të bazuar tek transparenca, korrektësia dhe mbështetja ndaj sipërmarrjes.

Ndërkohë përmes një videomesazhi, Rama theksoi se “qëllimi ynë nuk është t’i kapim subjektet në gabim por t’i ndihmojmë të përmirësohen në zbatimin e ligjit dhe në përmbushjen e standardeve që janë interesi ynë i përbashkët”.

“Inspektori nuk vjen te dera e biznesit si në një skenë krimi, por si shteti që njofton, të mbikëqyr dhe të ndihmon të korrigjohesh”, shtoi ai.

Po ashtu, kreu i qeverisë theksoi se “gjoba mbi një biznes është arma e fundit jo e para.

“Dhe kurrë një ‘shpatë’ shantazhi mbi qafën e sipërmarrësit për të gjetur një mënyrë tjetër pastaj për ta shmangur gjobën. Dhe kush nxjerr gjobën përpara fjalës së mirë nuk po e mbron shtetin, pot po e turpëron atë”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se kujt i vjen një inspektim pa paralajmërim për një kontroll rutinë nga cilido inspektorat duhet ta denoncojë menjëherë te Inspektori i Përgjithshëm.

“Kjo nuk është ankesë, kjo është e drejtë dhe këtë të drejtë ne mund ta vendosim vetëm së bashku qeveria dhe sipërmarrja”, shtoi Rama.

Kryeministri informoi se së shpejti çdo inspektor që troket në emër të shtetit tek dera e një tatimpaguesi të kësaj Republike do të jetë i pajisur me kamerën inteligjente të trupit dhe i veshur me uniformë.

“Biznesi duhet ta dijë kush është, kë përfaqëson dhe që ai vetë ta dijë se në çdo minutë të punës së tij është i mbikëqyrur nga Inspektorati i Përgjithshëm. Shteti që hyn në derën e njerëzve, duhet t’i bëjë ata krenarë për taksat që ata i paguajnë këtij shteti”, tha Kryeministri Rama.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër