Alexander Zverev ka triumfuar në US Open, duke mposhtur Ben Sheltonin në finale dhe duke fituar Grand Slamin e dytë në karrierë brenda këtij viti.
Tenisti gjerman, i cili ishte bartësi i parë i turneut, e mposhti amerikanin me rezultat 6-3, 7-6 (7-2), 5-7, 6-2, duke i shuar shpresat Sheltonit për t’u bërë amerikani i parë pas 23 vitesh që fiton një titull Grand Slam.
Zverev e nisi finalen në mënyrë dominuese dhe fitoi dy setet e para, ndërsa Shelton reagoi në të tretin, duke e rikthyer emocionin në Arthur Ashe Stadium.
Amerikani arriti të fitojë setin e tretë 7-5, pasi Zverev u përball me tri mundësi për break kur po shërbente për ta mbyllur atë. Në fund, Shelton e shfrytëzoi rastin e dytë dhe e dërgoi ndeshjen në setin e katërt.
Por Zverev reagoi menjëherë. Gjermani e theu shërbimin e Sheltonit në game-in e parë të setit të katërt dhe më pas kontrolloi plotësisht ritmin e ndeshjes, duke e mbyllur atë 6-2.
Me këtë triumf, Zverev fshiu edhe kujtimin e hidhur nga finalja e US Openit të vitit 2020, kur ishte vetëm dy pikë larg fitores ndaj Dominic Thiem, por në fund humbi pas pesë seteve.
Atij iu deshën gjashtë vjet dhe dy finale të humbura në Grand Slam për të siguruar më në fund një tjetër trofe të madh, ndërsa ky vit është kthyer në sezonin më të rëndësishëm të karrierës së tij.
“Mendoj se Zoti e ka parë se sa shumë kemi punuar, sa shumë kemi vuajtur dhe sa shumë dhimbje kemi përjetuar. Mendoj se viti 2026 është rezultat i të gjitha viteve që kanë ardhur më parë”, tha Zverev gjatë ceremonisë së trofeut.
Për Sheltonin, humbja ishte veçanërisht e dhimbshme, pasi ai kishte ardhur në finale pas një ecurie mbresëlënëse në New York.
23-vjeçari amerikan kishte eliminuar kampionin në fuqi, Carlos Alcarazin, në një çerekfinale epike me pesë sete, përpara se në gjysmëfinale të rikthehej nga disavantazhi për ta mposhtur bashkëkombësin Frances Tiafoe.
Sheltoni kishte shpresuar t’i jepte fund pritjes 23-vjeçare të tenisit amerikan për një titull Grand Slam në konkurrencën e meshkujve. Andy Roddick ishte amerikani i fundit që kishte fituar një të tillë, pikërisht në US Open të vitit 2003.
Mbështetja nga tribunat ishte e madhe për Sheltonin, por loja e gjithanshme e Zverevit rezultoi shumë e fortë për të.
Pas pikës së fundit, Zverev ngriti duart në ajër në shenjë triumfi, pasi Shelton e dërgoi jashtë kthimin e servimit. Megjithatë, gjermani më vonë zbuloi se fillimisht nuk e kishte kuptuar se ndeshja kishte përfunduar.
“E dija që e kisha thyer dy herë, por mendoja se ishte 5-1 dhe jo 6-2. Në njëfarë mënyre kjo më ndihmoi, sepse nuk u nervozova shumë kur po shërbeja për ndeshjen”.
“Në atë moment isha shumë i përqendruar. Nuk dëgjoja fare zhurmën. Pastaj, kur publiku është i zhurmshëm, është e pamundur ta dëgjosh gjyqtaren e karriges, kështu që nuk e dëgjova kur ajo tha”.
Zverev e kishte nisur vitin me triumfin në Roland Garros, ndërsa më pas kishte arritur edhe në finalen e Wimbledonit, ku u mposht.
Tani, 29-vjeçari që renditet i dyti në botë ka mundësinë të luftojë edhe për pozitën e parë në renditjen ATP, pasi lideri aktual, italiani Jannik Sinner, është jashtë fushave për shkak të një lëndimi në gju.


