Albulena Haxhiu: Kosova humbi Flora Brovinën, gruan që ia kushtoi gjithë jetën vendit

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 15 shtator, Zhurnal.mk – Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vdekjes së ish-deputetes dhe humanistes Flora Brovina.

Haxhiu ka vlerësuar kontributin e Brovinës në periudhat më të vështira për Kosovën, duke e përshkruar atë si mjeke, humaniste dhe veprimtare për të drejtat e njeriut.

“Kosova sot humbi Flora Brovinën, gruan që ia kushtoi gjithë jetën njerëzve dhe vendit të vet”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo ka theksuar se Brovina ishte pranë fëmijëve dhe familjeve gjatë viteve të vështira për Kosovën, ndërsa angazhimi i saj publik, sipas Haxhiut, ishte një formë e përditshme e qëndresës.

“Mjeke, humaniste dhe veprimtare për të drejtat e njeriut, ajo u gjend pranë fëmijëve dhe familjeve në vitet më të vështira për Kosovën. Organizoi, ndihmoi, protestoi dhe ngriti zërin kundër dhunës e represionit, duke e kthyer angazhimin publik në një formë të përditshme të qëndresës. Edhe kur kjo e vuri drejtpërdrejt përballë regjimit serb, nuk u tërhoq”, ka shkruar ajo.

Haxhiu ka përmendur edhe arrestimin e Brovinës në pranverën e vitit 1999 dhe burgosjen e saj në Serbi, ku ishte dënuar me 12 vjet burgim.

“Në pranverën e vitit 1999 u arrestua dhe u dërgua në burgjet e Serbisë, ku u dënua me 12 vjet burg. As aty nuk hoqi dorë nga bindjet e veta. Për lirimin e Flora Brovinës u angazhuan organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, shkrimtarë dhe institucione nga vende të ndryshme të botës. Ishte e burgosur politike, veterane e luftës së UÇK-së dhe pjesë e brezit që sakrifikoi aq shumë për lirinë e Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.

Në reagimin e saj, ajo ka veçuar edhe kontributin e Brovinës në letërsinë shqipe, duke e cilësuar poezinë e saj si pasqyrim të përvojave të jetuara.

“Flora Brovina ishte zë i veçantë edhe në letërsinë shqipe. Në vargjet që shkroi, gruaja, fëmija, dhimbja, lindja, humbja dhe liria morën formën e përvojave të jetuara. Poezia e saj kishte butësinë e mjekes, ndjeshmërinë e gruas dhe qëndresën e njeriut që kishte kaluar nëpër sfida të rënda”, ka shkruar ajo.

Haxhiu ka kujtuar gjithashtu angazhimin e Brovinës pas luftës në institucionet e Kosovës, duke theksuar se ajo për vite me radhë ishte deputete e Kuvendit të Kosovës dhe nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë.

Në fund, ushtruesja e detyrës së presidentes ka shprehur ngushëllime për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e Brovinës.

“Ngushëllimet më të sinqerta familjes Brovina dhe Begu, miqve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan.

I përjetshëm qoftë kujtimi për Flora Brovinën”, ka shkruar Haxhiu.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër