Shkup, 16 shtator, Zhurnal.mk – Bashkëkryetari i VLEN‑it, Bilall Kasami, ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke shprehur keqardhje të thellë për vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Kasami e cilësoi vendimin si të rëndë për katër personalitete që kanë dhënë kontributin e tyre në luftën për çlirimin e Kosovës dhe që sot vazhdojnë të jenë larg familjeve të tyre.
“Ky aktgjykim nuk e ndryshon të vërtetën historike për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lufta çlirimtare në Kosovë është pjesa më e lavdishme e historisë sonë kombëtare. Presim që Apeli ta rishqyrtojë dhe ta rrëzojë këtë vendim”, ka shkruar Kasami.
Ai shtoi se në këto momente mendimet e tij janë me familjet e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, me bashkëluftëtarët e tyre dhe me të gjithë ata që e përjetojnë këtë ditë me dhimbje.
“Historia e Kosovës është histori e një populli që luftoi për liri. Dhe kjo histori nuk rishkruhet”, përfundoi Kasami.
