Snapchat hap derën për kufizimin e kohës së përdorimit për adoleshentët

Nga D V
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Snapchat është i gatshëm të shqyrtojë vendosjen e kufizimeve kohore për përdoruesit adoleshentë, ka deklaruar drejtori ekzekutiv i kompanisë mëmë Snap Inc., Evan Spiegel.

Në një intervistë për BBC, Spiegel tha se një kufizim maksimal ditor për kohën që të rinjtë kalojnë në platformë mund të jetë “një hap i rëndësishëm përpara” për industrinë.

Deklarata vjen pasi Meta ka kërkuar që edhe platformat e tjera sociale të ndërmarrin masa të ngjashme. Në kuadër të një marrëveshjeje prej 12.7 miliardë dollarësh me autoritetet amerikane, Meta ka pranuar një kufizim prej dy orësh në ditë për adoleshentët, si dhe heshtjen e njoftimeve gjatë shkollës dhe bllokimin e përdorimit gjatë natës.

Spiegel tha se Snap e ka diskutuar këtë çështje brenda kompanisë, por nuk dha një afat se kur mund të zbatohet kufizimi.

“Ne duam të kuptojmë se si mund të jemi pjesë e zgjidhjes”, tha ai, duke theksuar se Snapchat tashmë ofron kontrolle prindërore përmes funksionit Family Center.

Ndërkohë, Snap prezantoi edhe syzet e reja inteligjente Specs, të cilat përdorin inteligjencën artificiale për të kuptuar rutinat dhe interesat e përdoruesit dhe për të ofruar rekomandime.

Syzet peshojnë rreth 130 gramë, kanë lente transparente dhe synojnë të kombinojnë funksionet e realitetit të përzier me dizajnin e lehtë të syzeve të zakonshme.

Çmimi i tyre do të jetë 2,195 dollarë në SHBA dhe 1,995 funte në Britani, transmeton Telegrafi.

Snap gjithashtu thotë se Specs nuk përdorin njohjen e fytyrës dhe kanë një dritë të bardhë treguese që ndizet kur pajisja regjistron video ose fotografon, në mënyrë që njerëzit përreth ta kuptojnë se po bëhet regjistrim.

Kjo çështje është bërë veçanërisht e ndjeshme pasi syzet inteligjente të Metës janë kritikuar për raste të regjistrimeve të njerëzve pa dijeninë e tyre.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër