Prishtinë, 23 shtator, Zhurnal.mk – Ish-ministri dhe profesori universitar, Valon Murati ka kritikuar qasjen e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj kontekstit të luftës dhe pavarësisë së Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Murati ka thënë se qasja e Dhomave të Specializuara, sipas tij, ka qenë “së paku e çuditshme” në raport me pavarësinë e shtetit që i ka krijuar.
Ai ka theksuar se kjo qasje, sipas tij, është vërejtur edhe në aktakuzat dhe aktgjykimet e tjera, duke argumentuar se në trajtimin e rasteve nuk është marrë sa duhet parasysh konteksti në të cilin janë zhvilluar ngjarjet.
“Se nuk e ka trajtuar fare kontekstin në të cilin janë zhvilluar ngjarjet, luftën si reaksion i terrorit të shtetit serb mbi popullsinë civile dhe mohimit të të drejtave elementare politike të shqiptarëve, dhe se ato ngjarje nuk janë marrë fare parasysh, madje as si rrethanë lehtësuese, po ashtu është evidente”, ka shkruar Murati.
Më poshtë lexoni postimin e plotë të Valon Muratit:
Dhomat e Specializuara vs. Pavarësisë së Kosovës
Se qasja e Dhomave të Specializuara ka qenë së paku thënë e çuditshme në raport me pavarësinë e shtetit që i ka krijuar është vërejtur edhe në aktakuzat dhe aktgjykimet e tjera. Se nuk e ka trajtuar fare kontekstin në të cilin janë zhvilluar ngjarjet (lufta si reaksion i terrorit të shtetit serb mbi popullsinë civile dhe mohimit të të drejtave elementare politike të shqiptarëve) dhe se ato ngjarje nuk janë marrë fare parasysh, madje as si rrethanë lehtësuese po ashtu është evidente.
Por kulmi qëndron në këtë paragraf të përmbledhjes së aktgjykimit të datës 16 shtator: “Trupi Gjykues konstatoi se të katër të akuzuarit dhe persona të tjerë në udhëheqjen e UÇK-së, përfshirë ata që pretendohet se janë anëtarë të NKP-së, kishin dy objektiva: pavarësinë e Kosovës dhe vendosjen e kontrollit politik dhe institucional mbi atë që shpresonin se do të ishte një Kosovë e pavarur. Këto objektiva synohej të realizoheshin me anë të mjeteve ushtarake, politike dhe të tjera. Trupi Gjykues nuk e gjykoi të nevojshme të përcaktonte nëse këto dy objektiva ishin, në vetvete, kriminale apo të paligjshme.”
Vetë gjuha në dukje e pafajshme, por në thelb neutrale në raport me pavarësinë nga një “gjykatë” e Kosovës, e bën atë krejtësisht sui generis, në të drejtën vendore e ndërkombëtare penale dhe atë humanitare.
Pse duhet të trajtojë një gjykatë e Kosovës nëse e ka gjykuar të nevojshme apo të panevojshme konstatimin nëse objektivi i pavarësisë ishte i ligjshëm ose kriminal? A nuk është e qartë se pavarësia është e ligjshme, përderisa vetë gjykatën e ka krijuar Kuvendi i Kosovës? Po vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së deklaratës së pavarësisë? Po ndërhyrja e NATO-s.
Duket qartë se duke relativizuar ligjshmërinë dhe objektivin e pavarësisë, gjykata synon të kriminalizojë aktivitetin e katër të akuzuarve, si njerëz që jashtë çdo konteksti, janë organizuar në një ndërmarrje të përbashkët kriminale për të ushtruar kontroll politik me çdo mjet.
Kontroll politik në Kosovën e pushtuar e të dërmuar nga Serbia. Dhe si të tillë, si pushtuese, kjo gjykatë asnjëherë nuk e ka cilësuar Serbinë.
E si mund ta cilësojmë këtë gjykatë si të drejtë, si mbrojtëse të viktimave, kur ajo dështon në testin kryesor: duke mos e trajtuar Serbinë si pushtuese dhe pavarësinë e Kosovës si të ligjshme.
Kështu kjo gjykatë shndërrohet në një gjykatë puro politike, që prek thellë në themelet e luftës çlirimtare dhe mundohet në mënyrë indirekte ta përlyej edhe produktin e saj, pavarësinë.
