Prishtinë, 05 tetor, Zhurnal.mk – Ish-kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Aleanca do ta votojë projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërsa ka thënë se, sipas tij, përgjigjja e drejtë ndaj vendimit dënues për ish-krerët e UÇK-së do të ishte anulimi i kësaj gjykate, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj ka thënë se vendimi dënues ndaj udhëheqësve të UÇK-së është ofendim për popullin e Kosovës dhe ka kundërshtuar që ky vendim të jetë në emër të Kuvendit apo të qytetarëve të Kosovës.
“Në fakt, ne jemi ofenduar me një vendim dënues për udhëheqësit e UÇK-së. Është ofendim për popullin e Kosovës, për gjakun tonë, për këtë parlament, edhe për drejtësinë. Nuk është në emrin tim. Nuk është në emër të popullit të Kosovës. Pra, nderi i shqiptarëve, nderi yt, nderi i këtij Kuvendi, pa marrë parasysh si do të na vlerësojnë të tjerët, duke qenë se ne jemi ata që e dimë më së miri të vërtetën tonë. Do të ishte ligj për anulimin e kësaj gjykate. Kjo do të ishte përgjigjja, kjo do të ishte përgjigjja e drejtë për fyerjen që na është bërë me vendim dënues për udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ligjin e sotëm, Aleanca e voton”, tha ai.
