Natolin, 05 tetor, Zhurnal.mk – Zgjerimi i Bashkimit Evropian është sërish një përparësi gjeostrategjike për Evropën, deklaroi sot presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, gjatë fjalimit të tij në Kolegjin e Evropës, në Natolin, Poloni, sipas consilium.europa.eu.
Costa tha se kërkesa e Ukrainës për anëtarësim në BE, ka krijuar një dinamikë të re në procesin e zgjerimit.
Sipas tij, kjo dinamikë nuk kufizohet vetëm te Ukraina, por shtrihet edhe te Moldavia dhe gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.
Ai theksoi se e ardhmja e këtyre vendeve është brenda Bashkimit Evropian dhe se procesi i anëtarësimit duhet të bazohet në meritë dhe në përmbushjen e standardeve të BE-së.
“Çdo vend kandidat duhet të vlerësohet individualisht, në bazë të progresit dhe arritjeve të tij, dhe të gjithë duhet të ndajnë vlerat dhe objektivat e Bashkimit Evropian”, tha Costa.
Duke folur për përfitimet e zgjerimit, presidenti i Këshillit Evropian tha se vendet që iu bashkuan BE-së që nga viti 2004 i kanë dyfishuar ekonomitë e tyre.
Sipas tij, vendet e reja anëtare kanë krijuar gjithsej 26 milionë vende të reja pune, mbi 6 milionë prej tyre në vetë këto vende.
Costa tha se këto të dhëna tregojnë se zgjerimet e mëparshme, kanë forcuar Evropën dhe kanë zgjeruar hapësirën e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit.
Duke iu referuar procesit aktual, Costa tha se Mali i Zi synon të përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit, nëse plotëson të gjitha kushtet.
Për Ukrainën dhe Moldavinë, ai tha se ambicia është të hapen të gjithë grupkapitujt e negociatave deri në fund të vitit, në përputhje me kushtet e nevojshme.
Ndërkohë, Shqipëria vijon negociatat e anëtarësimit me BE-në. Sipas Këshillit të BE-së, të 33 kapitujt e negociatave të Shqipërisë janë hapur dhe tre prej tyre janë mbyllur përkohësisht.
Takimi i fundit i konferencës së anëtarësimit u zhvillua më 14 korrik 2026.
Këshilli Evropian do të zhvillojë më 15 dhe 16 tetor një diskutim strategjik për zgjerimin dhe reformat e Bashkimit Evropian.
