Tel Aviv, 06 tetor, Zhurnal.mk – Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz ka urdhëruar që forcat izraelite në Rripin e Gazës të jenë në gatishmëri të shtuar, para përvjetorit të sulmit të 7 tetorit 2023.
Sipas zyrës së Katz, informacionet e marra nga shërbimet e inteligjencës tregojnë se organizata palestineze, Hamas mund të planifikojë një sulm ndaj trupave izraelite pikërisht në këtë datë.
Zyra e Katz paralajmëroi se, nëse trupat izraelite sulmohen, Hamasi dhe popullsia e Rripit të Gazës do të përballen me pasoja shumë të rënda.
Në një postim në rrjetin social X, Katz tha se 4 000 nga luftëtarët e Hamasit që hynë në Izrael më 7 tetor 2023 janë vrarë, ndërsa sipas tij rreth 2 000 të tjerë konsiderohen ende të gjallë.
Sulmi i 7 tetorit 2023 shkaktoi rreth 1 200 viktima në Izrael, ndërsa 251 persona u morën peng dhe u dërguan në Rripin e Gazës.
Në luftën që pasoi sulmin, më shumë se 74 000 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës, sipas autoritetit shëndetësor të kontrolluar nga Hamasi.
Në Gaza, teknikisht ka një armëpushim që prej tetorit 2025, por sulmet vdekjeprurëse vazhdojnë të ndodhin.
Këtë vit, përvjetori i sulmeve të 7 tetorit, përkon me periudhën e fushatës së fortë zgjedhore në Izrael.
Zgjedhjet e para parlamentare që prej sulmit janë planifikuar të zhvillohen më 27 tetor.
Sondazhet tregojnë se as kampi i kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe as kampi i kundërshtarëve të tij, nuk duket se mund të sigurojë shumicën absolute në këto zgjedhje të rëndësishme.
