Editorial / Pse Gjykata Kushtetuese i ikë përgjegjësisë kur ka të bëjë me mbrojtjen e gjuhës shqipe!

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 8 tetor, Zhurnal.mk – Rregullorja për evidencën në shkollat e mesme, e cila u publikua në Gazetën Zyrtare vetëm në gjuhën maqedonase ka bërë që Gjykata Kushtetuese sërish të bie nga “provimi” se është në mbrojtje të Kushtetutës. Gjykata së fundmi ka thënë se nuk është përgjegjëse se në çfarë gjuhe publikon Gazeta Zyrtare, që konsiderohet si absurditeti më i madh. Detyra e Gjykatës Kushtetuese është që ta mbrojë Kushtetutën, por kësaj radhe, ngjashëm edhe sikur në të kaluarën, gjithmonë kur bëhet fjalë për mbrojtjen e gjuhës shqipe, kjo gjykatë i mbyll sytë, ndërsa për çdo iniciativë për largimin dhe cënimin e gjuhës shqipe, kjo Gjykatë e shtjellon me shumë kujdes dhe mundohet të gjejë edhe zbraztirën më të vogël vetëm që ta pengojë gjuhën shqipe, shkruan “Zhurnal.mk”.

Pse u bë sherr i madh konstatimi i Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Rregullores për mënyrën e mbajtjes, formën dhe përmbajtjen e evidencës dhe dokumentacionit pedagogjik në shkollat e mesme, të miratuar më 13 shkurt 2026.

Kjo Rregullore nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve, pasi akti nënligjor ishte publikuar vetëm në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj, ndërsa nuk ishte publikuar edhe në gjuhën shqipe.

Neni 17 i Ligjit për përdorimin e gjuhëve parasheh që të gjitha ligjet, aktet nënligjore, vendimet dhe shpalljet nga ana e institucioneve të cilat botohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, botohen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj dhe në gjuhën shqipe dhe alfabetin e saj.

Por, Gjykata Kushtetuese ka thënë se është jokompetente për të vendosur se në çfarë gjuhe duhet të publikohen ligjet dhe aktet tjera juridike në Gazetën Zyrtare.

Megjithatë, kjo gjykatë bie ndesh me vendimet e saj paraprake, sepse një vendim i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2023, argumenton se publikimi i aktit është kusht për zbatueshmërinë e tij. Në këtë rast, Gjykata duhet ta zbatojë të njëjtin standard edhe në rastin e gjuhës shqipe. Prandaj, bazuar në këtë, vetë Gjykata Kushtetuese çështjen e publikimit e trajton si çështje rrënjësore dhe si bazë për shfuqizimin apo anulimin e akteve të kontestuara.

Rrezik që në të ardhmen evidenca në shkolla të mbahet vetëm në gjuhën maqedonase

Rregullorja për formën, përmbajtjen dhe mënyrën e mbajtjes së evidencës dhe dokumentacionit pedagogjik në shkollat e mesme të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë së Veriut përcakton të gjitha dokumentet zyrtare që një shkollë e mesme duhet të mbajë për të dokumentuar procesin edukativo-arsimor.

Kjo rregullore parashikon që dokumentacioni pedagogjik të ndahet në disa shtylla kryesore, siç janë Librat zyrtarë, evidenca e punës ditore dhe e paraleles, suksesi i nxënësve, evidenca e provimeve, ditari elektornik etj.

Aktualisht mbajtja e evidencës dhe dokumentacionit pedagogjik bëhet edhe në gjuhën shqipe për të gjitha ato paralele dhe shkolla ku procesi mësimor zhvillohet në gjuhën shqipe. Për nxënësit që ndjekin mësimin në gjuhën shqipe, Ditari i paraleles mbahet dhe plotësohet plotësisht në gjuhën shqipe. Profesorët i shkruajnë njësitë mësimore, notat, mungesat dhe vlerësimet në gjuhën shqipe. Por, dokumentet publike, dëftesat lëshohen në formë dygjuhësore (maqedonisht dhe shqip).

Megjithatë, edhe pse zbatimi praktik nëpër shkolla (ditarët, dëftesat) është dygjuhësor sipas ligjit, polemikat e vazhdueshme institucionale janë se në të ardhmen mund që e gjithë evidenca të kërkohet të bëhëet vetëm në maqedonisht.
Kjo mund të ndodhë për shkak se akti nënligjor (teksti i rregullores zyrtare) i miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, i cili ishte botuar në “Gazetën Zyrtare” është botuar vetëm në gjuhën maqedonase.

Pra, nëse ky akt, është botuar vetëm në maqedonisht, atëherë edhe zbatimi i saj duhet të jetë vetëm maqedonisht. Kjo për shkak se vetë Gjykatës Kushtetuese në vitin 2023 ka sjell një vendim ku thotë se publikimi i aktit është kusht për zbatueshmërinë e tij. Që i bie, se nëse akti është publikuar maqedonisht, vetëm maqdonisht duhet të implementohet. Kjo është ajo që i shqetëson shqiptarët, sepse në të ardhmen evidenca nëpër shkolla të mesme mund të bëhet vetëm në gjuhën maqedonase.

Gjykatës Kushtetuese vazhdimisht i pengon gjuha shqipe

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka hapur dhe diskutuar lëndë apo iniciativa lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në disa raste të rëndësishme dhe të përsëritura ndër vite, sidomos që nga miratimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në vitin 2018.

Lënda kryesore e Gjykatës Kushtetuese është për “Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve”, e cila ka filluar që nga viti 2019 dhe vazhdon sërish. Nga ajo kohë në Gjykatën Kushtetuese janë dorëzuar 13 iniciativa nga parti të ndryshme politike, shoqata dhe qytetarë maqedonas që kontestojnë kushtetutshmërinë e ligjit dhe janë kundër gjuhës shqipe.
Pas pesë vitesh qëndrimi në sirtarë, kjo temë u riaktualizua fort në fund të vitit 2024 (në seancat e tetorit dhe dhjetorit 2024), ku u vendos të shtyhej votimi për të organizuar një seancë të gjerë përgatitore me ekspertë dhe profesorë të së drejtës. Çështja ka mbetur pezull për shkak të ndjeshmërisë së saj politike dhe mungesës së plotë të përbërjes së gjykatësve.

Gjykata Kushtetuese gjithashtu i dha të drejtë Ministrisë së brendshme që njoftimet për gjobat në trafik dhe procesverbalet përkatëse të dërgohen vetëm në gjuhën maqedonase dhe angleze, duke lënë jashtë gjuhën shqipe.

Rasti më i fundit në rend dite është pikërisht Rregullorja për udhëheqjen e dokumentacionit pedagogjik në shkollat e mesme, për të cilin thotë se nuk është kompetente.

Por, kjo Gjykatë Kushtetuese e ka pasur gjuhën shqipe si temë debati në tavolinën e saj me dhjetëra herë përgjatë seancave të ndryshme, kryesisht për shkak të presioneve për të shfuqizuar nene të caktuara (si përdorimi i shqipes në paratë/bankënotat, uniformat e policisë apo në proceset gjyqësore), dhe gjithmonë kur duhet të mbrohet gjuha shqipe ajo thotë se nuk është kompetente, ndërsa kur është diçka kundër gjuhës shqipe, ata me nxitim i marrin të gjitha masat që ta cënojnë gjuhën shqipe.

Andaj, partitë shqiptare në pushtet është e nevojshme që mos të lejojnë që ky trend kundër gjuhës shqipe të vazhdojë, sepse edhe pse duket punë e vogël kjo çështja e Rregullores, mund të bëhet shumë e madhe, duke i detyruar gjithë profesorët që evidencën dhe orët t’i shënojnë vetëm maqedonisht, gjë që nuk ka ndodhur as në kohën e Jugosllavisë, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër