Londër, 08 tetor, Zhurnal.mk – Ministri francez i Financave tha se Britania e Madhe do të ishte e mirëpritur të rikthehej në Bashkimin Evropian, pasi kryeministri britanik Andy Burnham la të hapur mundësinë që në programin e ardhshëm politik të Partisë Laburiste të përfshihet një angazhim për rikthimin në BE.
Në një intervistë për BBC-në, ministri francez i Financave, Roland Lescure, tha se vendimi për rikthimin në BE i takon qytetarëve britanikë, por shtoi se Britania e Madhe mund të rikthehet në çdo kohë.
“Populli britanik mori vendimin dhe, natyrisht, kjo është plotësisht e drejta e tij. Nëse ata dëshirojnë të rikthehen, do të jetë vendimi i tyre. Por ajo që mund t’u them është, rikthehuni, në çdo kohë”, tha ai.
Deklarata e Lescure vjen pasi Burnham sugjeroi se Partia Laburiste mund ta rishqyrtojë çështjen e rikthimit në BE në një program të ardhshëm politik.
Në konferencën e parë të Partisë Laburiste që mori pjesë si kryeministër, Burnham tha se çështja nuk kishte të bënte me “kalimin menjëherë drejt një referendumi”, ndërsa ai po përpiqet të gjejë një qëndrim të përbashkët politik në Britani të Madhe, për marrëdhëniet e ardhshme të vendit me Bashkimin Evropian dhe Brukselin.
Megjithatë, ai tha se nëse opinioni publik do të tregonte mbështetje për rikthimin e BM-së në BE, ai mund të angazhohej për zhvillimin e një votimi për këtë çështje, duke e përfshirë atë në programin e ardhshëm politik të Partisë Laburiste.
Ai gjithashtu nuk përjashtoi mundësinë që të mos zhvillohej fare një referendum dhe që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të zhvilloheshin mbi një premtim për rikthimin e Britanisë së Madhe në BE.
Burnham pritet të takohet sot në Berlin me kancelarin gjerman Friedrich Merz, ndërsa bisedimet pritet të përqendrohen te çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë.
Deklaratat e tij të fundit për një mundësi rikthimi në Bashkimin Evropian, u mirëpritën nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri spanjoll Pedro Sánchez, i cili deklaroi se do ta mirëpriste BM-në sërish në BE “me krahë hapur”.
Në fjalimin e tij në konferencën e Partisë Laburiste, Burnham tha se Brexit-i kishte sjellë “më shumë dëme sesa përfitime” dhe premtoi se do t’i paraqiste publikut britanik mundësitë për të ardhmen rreth kohës së një samiti mes BM-së dhe BE-së, që sipas tij do të zhvillohet në nëntor.
“Nuk mund ta shmang çështjen e Evropës nëse dua të paraqes një plan të besueshëm 10-vjeçar për BM-në”, tha Burnham në një intervistë për ITV News, më vonë.
I pyetur nëse kjo mund të nënkuptonte vazhdimin e marrëdhënieve në formën aktuale, ai u përgjigj se nuk e dinte se çfarë do të thoshte Evropa për mundësitë e ndryshme.
“Duhet të shohim se ku ndodhemi ne, ku ndodhen ata dhe të përcaktojmë se cila është një qasje realiste dhe e zbatueshme në të gjitha fushat që përmendëm. Më pas duhet të hapim një diskutim për këtë çështje”, tha ai.
Burnham tha se “instinkti” i tij politik ishte se është më mirë të jesh më pranë Bashkimit Evropian, veçanërisht duke pasur parasysh të gjitha kërcënimet që shohim në mbarë botën.
