A do të ketë zgjedhje në vitin 2027?

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 nëntor, Zhurnal.mk – Debati për zgjedhjet e parakohshme parlamentare është bërë pothuajse një ritual i pandashëm i skenës politike në Maqedoninë e Veriut. Për më shumë se një vit, kryeministri Hristijan Mickoski e ka lënë vazhdimisht të hapur mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, duke deklaruar se nëse opozita kërkon zgjedhje, pushteti është i gatshëm të shkojë në një garë të re elektorale. Paradoksi qëndron në faktin se opozita asnjëherë nuk e ka refuzuar këtë mundësi, madje në disa raste e ka kërkuar hapur, por pavarësisht kësaj nuk është shfaqur asnjë iniciativë konkrete që do ta afronte realisht vendin drejt kutive të votimit, shkruan Zhurnal.

Çështja e zgjedhjeve të parakohshme sërish pjesë e diskutimit publik

Për të paktën herën e dhjetë gjatë muajve të fundit, tema e zgjedhjeve të parakohshme është rikthyer në qendër të debatit publik pa ofruar asnjë epilog të qartë. Sa herë që tensionet politike rriten ose opozita intensifikon kritikat ndaj qeverisë, çështja e zgjedhjeve rikthehet në agjendë, por pa prodhuar hapa konkretë institucionalë. Kjo ka krijuar përshtypjen se zgjedhjet po përdoren më shumë si instrument presioni politik sesa si proces real drejt të cilit po lëviz vendi.

Jo më larg se dje, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi qartë se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbahen në prill të vitit 2028 dhe se mandati i tij përfundon në përputhje me afatet kushtetuese. Duke komentuar aktivitetet e reja në terren të VMRO-DPMNE-së, ai tha se qëllimi i tyre nuk është përgatitja për zgjedhje të parakohshme, por dëgjimi i drejtpërdrejtë i qytetarëve dhe përmirësimi i politikave qeveritare.

Mickoski theksoi se në fund të dhjetorit 2027 do të formohet qeveria teknike sipas modelit ligjor që paraprin zgjedhjet parlamentare, duke nënvizuar se procesi zgjedhor i rregullt mbetet objektivi i vetëm i shumicës qeverisëse. Sipas tij, periudha që ka mbetur deri në fund të mandatit duhet të shfrytëzohet për të adresuar dobësitë dhe mangësitë e identifikuara nga qytetarët.

Në këtë kontekst, edhe njoftimi i VMRO-DPMNE-së për aktivitete intensive në terren mund të interpretohet më shumë si përgatitje për zgjedhjet e rregullta të vitit 2028 sesa si sinjal për një proces të përshpejtuar zgjedhor. Megjithatë, duke pasur parasysh historinë e deklaratave të ngjashme gjatë muajve të fundit, skepticizmi në opinion mbetet i pranishëm.

Pak orë më vonë zgjedhjet mbeten opsion i hapur

Vetëm disa orë pas deklaratës se zgjedhjet parlamentare do të mbahen në pranverën e vitit 2028, Mickoski në emisionin “Top Tema” në Televizionin Telma la të hapur sërish mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. Ai deklaroi se vendi ka zgjedhje të rregullta në vitin 2028, por nëse ekziston një iniciativë nga opozita e bashkuar për zgjedhje të parakohshme, shumica qeverisëse është e gatshme ta mbështesë dhe të shkojë në zgjedhje.

Duke iu përgjigjur spekulimeve për marrëveshje të mundshme politike apo skenarë të fshehtë brenda shumicës, Mickoski hodhi poshtë çdo teori konspirative. Ai theksoi se nuk ekziston asnjë marrëveshje me BDI-në lidhur me kthimin e Artan Grubit dhe se qeveria nuk funksionon mbi bazën e kalkulimeve të tilla politike.

Kryeministri gjithashtu nënvizoi se shumica parlamentare mbetet stabile, duke deklaruar se edhe në rast të largimit të ndonjë partneri të koalicionit, qeveria disponon me të paktën 61 deputetë. Ai shtoi se bashkëpunimi me koalicionin VLEN vazhdon të jetë i rregullt dhe i koordinuar, duke lënë të kuptohet se aktualisht nuk ekziston asnjë krizë politike që do ta bënte të domosdoshme shpërndarjen e Kuvendit.

Kush mund t’i nxisë zgjedhjet e parakohshme?

Në realitet, mundësia për zgjedhje të parakohshme gjatë vitit 2027 mbetet e kufizuar. Shumica parlamentare aktualisht duket stabile dhe nuk ekzistojnë sinjale serioze për një krizë politike që do të paralizonte funksionimin e qeverisë. Për këtë arsye, vetëm dy faktorë mund ta ndryshojnë ndjeshëm ekuacionin politik.

Faktori i parë është ekonomia. Nëse vendi përballet me përkeqësim të ndjeshëm ekonomik, rritje të pakënaqësisë sociale, inflacion apo ulje të standardit të jetesës, presioni politik mbi qeverinë mund të rritet deri në atë pikë sa zgjedhjet e parakohshme të shndërrohen në rrugëdaljen më të pranueshme për të gjitha palët. Historia politike e rajonit ka treguar se krizat ekonomike shpesh prodhojnë dinamika të reja elektorale.

Faktori i dytë lidhet me procesin e integrimit evropian dhe ndryshimet kushtetuese. Nëse partnerët ndërkombëtarë intensifikojnë presionin për zbatimin e obligimeve që lidhen me negociatat me Bashkimin Evropian dhe procesi përballet me bllokadë të vazhdueshme, atëherë mund të krijohet një situatë e re politike ku zgjedhjet do të përdoren për të kërkuar legjitimitet të ri qytetar për vendime të rëndësishme shtetërore.

Kujtojmë që, deri tani as shumica qeverisëse e as opozita nuk kanë prodhuar një arsye të mjaftueshme për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Prandaj, pavarësisht zhurmës së vazhdueshme politike, skenari më i mundshëm mbetet ai që vetë kryeministri e përsëriti dje paradite qeveri teknike në fund të vitit 2027 dhe zgjedhje parlamentare në pranverën e vitit 2028. Por, në vendin tonë shpesh herë ndodhin gjëra jashtë pritshmërisë dhe analizave politike. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura