Real Madridi po përjeton një atmosferë të tensionuar në dhomën e zhveshjes, ndërsa raportohet edhe për një përplasje mes dy lojtarëve, identitetet e të cilëve nuk janë bërë të ditura.
Gazetari Anton Meana, duke folur në emisionin El Larguero të Cadena SER, ka pohuar se situata brenda skuadrës mbetet po aq e ftohtë sa ishte disa muaj më parë, pavarësisht ardhjes së Jose Mourinhos në stol gjatë kësaj vere.
Sipas Meanas, problemi kryesor nuk ka ndryshuar dhe trajneri portugez ende nuk ka arritur të ndryshojë dinamikën brenda grupit.
“Problemi i vetëm është se unë ende e shoh dhomën e zhveshjes po aq të ftohtë sa ishte pesë muaj më parë”, deklaroi Meana.
Raportimet bëjnë të ditur se tensionet janë përshkallëzuar deri në një përballje mes dy futbollistëve, ndërsa emrat e tyre nuk janë zbuluar. As personaliteti i fortë i Mourinhos nuk ka mjaftuar deri tani për ta ndryshuar atmosferën në skuadër.
Kjo situatë vjen në një kohë kur vëmendja rreth Real Madridit është përqendruar edhe te Kylian Mbappe. Francezi është rikthyer të mërkurën në stërvitjet me grupin pas dëmtimit të pësuar me kombëtaren e Francës dhe, sipas Cadena SER, gjendja e tij fizike është përmirësuar ndjeshëm.
Mbappe pritet të jetë në dispozicion të Mourinhos për ndeshjen e së shtunës ndaj Villarrealit në La Liga.
Sulmuesi francez ishte përfshirë në polemika gjatë pushimit të kombëtareve, fillimisht pasi u shfaq në një klub nate dhe më pas pasi publikoi një video duke ngarë biçikletë gjatë periudhës së rikuperimit.
Megjithatë, burime brenda klubit insistojnë se nuk ka pakënaqësi ndaj Mbappes dhe se lojtari ka vepruar në përputhje me atë që ishte dakorduar me klubin. Mourinho ka zhvilluar një bisedë me të këtë javë, duke i kërkuar më shumë kujdes dhe qetësi jashtë fushës.
Në klub nuk presin që Mbappe të vërshëllehet nga tifozët në “Santiago Bernabeu”, ndërsa Real Madridi ka rikonfirmuar mbështetjen e tij si për sulmuesin francez, ashtu edhe për trajnerin Mourinho.
Gjigantin madrilen e pret një muaj i ngjeshur në tetor, me ndeshje ndaj Romës, Sevillas dhe Leipzigut, përpara El Clasicos së 25 tetorit në Barcelonë.

