Termokos nis sot sezonin e ngrohjes për mbi 25 mijë konsumatorë në Prishtinë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 15 tetor, Zhurnal.mk – Ndërmarrja publike “Termokos” ka njoftuar se janë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për fillimin e sezonit të ngrohjes 2026/2027, i cili nis zyrtarisht sot, më 15 tetor, për mbi 25 mijë konsumatorë të kyçur në rrjetin e ngrohjes së kryeqytetit.

Sipas njoftimit të ndërmarrjes, pas vlerësimit të përgatitjeve për sezonin e ri, kryeshefi ekzekutiv i Termokosit, Bersant Beka, në bashkëpunim me menaxhmentin, ka konstatuar se janë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme.

“Në bazë të këtij vlerësimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe kushtet klimatike, sezoni ngrohës 2026/2027 fillon zyrtarisht më 15 tetor për mbi 25 mijë konsumatorë të kyçur në rrjetin e ngrohjes së kryeqytetit”, thuhet në njoftimin e Termokosit.

Ndërmarrja ka bërë të ditur se gjatë ditëve të fundit janë përfunduar përgatitjet për fillimin e sezonit të ri të ngrohjes. Në kuadër të këtyre angazhimeve, është nënshkruar edhe marrëveshja për furnizim me energji me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Po ashtu, në koordinim me Komunën e Prishtinës dhe organet drejtuese të ndërmarrjes, është vlerësuar se janë përmbushur kushtet për fillimin e sezonit të ngrohjes.

“Për të garantuar sigurinë e pajisjeve dhe funksionimin e qëndrueshëm të sistemit, furnizimi me ngrohje do të nisë me kapacitet të kufizuar dhe do të rritet gradualisht, deri në stabilizimin e plotë të furnizimit për të gjithë konsumatorët”, thuhet më tej në njoftim.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër