Prshtinë, 15 tetor, Zhurnal.mk – Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka kritikuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, dhe udhëheqjen e Kompanisë “Pastrimi”, lidhur me situatën e krijuar me grumbullimin e mbeturinave në kryeqytet.
Në një deklarim për Radio Dukagjinin, Pacolli ka thënë se përgjegjësia për këtë situatë u takon Komunës së Prishtinës dhe kompanisë “Pastrimi”, duke kundërshtuar, sipas saj, përpjekjet për t’ia bartur fajin Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK).
“Askush nuk mund të mbartë fajin e dështimit të Komunës, përveç kryetarit të Komunës dhe udhëheqësit të Kompanisë ‘Pastrimi’. Ata duhet të ulen të bisedojnë me KMDK-në, të paguajnë borxhin që kanë dhe të pastrojnë Prishtinën”, ka deklaruar Pacolli.
Ajo ka theksuar se, sipas saj, KMDK-ja ka qenë bashkëpunuese dhe e ka lejuar Komunën e Prishtinës ta shfrytëzojë deponinë sa herë që ka pasur nevojë, ndërsa ka rikujtuar se kompania “Pastrimi” ka obligime të papaguara ndaj KMDK-së.
Ndërkohë, Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar se do të paraqesë kallëzim penal për atë që e ka cilësuar si mbyllje të qëllimshme të deponisë së Mirashit.
Drejtoria e Shërbimeve Publike e Prishtinës ka kërkuar gjithashtu që deponia të hapet, duke paralajmëruar ndërmarrjen e veprimeve të tjera në rast të moslejimit të qasjes. /RadioDukagjini/
