Bruksel, 15 tetor, Zhurnal.mk – Udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë të përçarë lidhur me buxhetin e ardhshëm afatgjatë të bllokut, ndërsa ndasitë janë të thella mes vendeve të pasura, që kërkojnë kursim, dhe atyre që mbështeten te fondet e kohezionit, të cilat synojnë të zvogëlojnë pabarazitë ekonomike mes vendeve dhe rajoneve të BE-së.
“Jemi përballë negociatave shumë, shumë të vështira për financat e ardhshme të Bashkimit Evropian”, deklaroi sot kancelari gjerman Friedrich Merz teksa mbërriti në samitin e BE-së në Bruksel.
Komisioni Evropian ka propozuar një rritje të ndjeshme të buxhetit të BE-së, duke e çuar atë në 1, 985 trilionë euro (2.23 trilionë dollarë) për periudhën 2028–2034.
Një propozim kompromisi i paraqitur së fundmi, me një vlerë prej 1,826 trilionë eurosh, duket se nuk do të mjaftojë për të kapërcyer përçarjet mes vendeve anëtare.
Buxheti aktual afatgjatë, që mbulon periudhën 2021–2027, ka një vlerë prej 1,2 trilionë eurosh.
27 vendet anëtare të BE-së kontribuojnë financiarisht në buxhetin e përbashkët në bazë të fuqisë së tyre ekonomike. Kjo do të thotë se ekonomitë e mëdha dhe të pasura, si Gjermania, japin më shumë se vendet e tjera.
“Ne duhet ta zvogëlojmë ndjeshëm buxhetin e përbashkët, krahasuar me propozimet e Komisionit Evropian. Asnjë shtet anëtar i Bashkimit Evropian nuk mund ta përballojë këtë”, tha Merz.
Politikat tradicionale të BE-së përballë përparësive të reja
Buxheti i BE-së përfshin fonde të konsiderueshme për rajonet ekonomikisht më pak të zhvilluara dhe për fermerët, por edhe për programet e shkëmbimit të studentëve dhe fondet për ndihmën në raste fatkeqësish.
Ndryshimet në përparësitë ekonomike dhe gjeopolitike të BE-së e kanë nxitur Komisionin Evropian të propozojë fonde të reja për të mbështetur konkurrueshmërinë e bllokut dhe forcimin e kapaciteteve të tij mbrojtëse. Kjo ka sjellë rritjen e vlerës së përgjithshme të buxhetit të propozuar.
Përveç Gjermanisë, edhe Austria, Holanda, Danimarka, Suedia dhe Finlanda argumentojnë se vlera e propozuar e buxhetit të ri duhet të shkurtohet ndjeshëm, nëse synohet të krijohen fonde shtesë për përparësitë e reja.
Kryeministri suedez Ulf Kristersson i cilësoi propozimet aktuale si “thjesht të papranueshme”.
Sipas tij, vendeve që tashmë kontribuojnë me një pjesë të madhe të financimit nuk mund t’u kërkohet të paguajnë edhe më shumë.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni është ndër mbrojtëset më të zëshme të ruajtjes së fondeve tradicionale, përfshirë pagesat e kohezionit.
“Në këndvështrimin tim, nuk ka asnjë kundërshti mes politikave tradicionale dhe përparësive të reja”, deklaroi Meloni në parlamentin italian të mërkurën.
“Përkundrazi, nuk mund të ketë siguri pa siguri ushqimore dhe as konkurrueshmëri të vërtetë pa mundësi të barabarta për të gjitha rajonet”, tha ajo.
Meloni theksoi se nuk do të mbështesë shkurtimet e subvencioneve për bujqësinë dhe të fondeve të kohezionit gjatë takimit në Bruksel.
Edhe udhëheqësit e vendeve baltike, të cilat përfitojnë nga fondet e kohezionit, por që kufizohen me Rusinë ose Bjellorusinë, paralajmëruan kundër shkurtimeve të mëdha.
Bashkimi Evropian nuk do të jetë në gjendje të përmbushë objektivat e tij të reja, siç është mbrojtja, nëse nuk do të ketë fonde të mjaftueshme, deklaroi presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda.
Rajonet e Letonisë që kufizohen me Rusinë po përjetojnë rënie ekonomike, ndërsa vendi duhet të shpenzojë shuma të mëdha për mbrojtjen, tha kryeministri letonez Andris Kulbergs. Ai kërkoi që vendi i tij të mos lihet pas dore gjatë negociatave për buxhetin.
Udhëheqësit e BE-së përgatiten për negociata të vështira
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, kishte shprehur fillimisht shpresën se një marrëveshje kompromisi do të arrihej deri në fund të vitit, përpara se disa vende të BE-së të shkojnë në zgjedhje vitin e ardhshëm, çka mund të ngadalësojë negociatat në Bruksel.
Merz deklaroi se synon ende arritjen e një marrëveshjeje deri në fund të vitit, pavarësisht negociatave të vështira që e presin bllokun.
Megjithatë, disa udhëheqës të tjerë shprehën dyshime nëse do të jetë e mundur të arrihet një marrëveshje brenda këtij afati.
“Është më e rëndësishme të arrihet një marrëveshje e mirë sesa një marrëveshje e keqe”, deklaroi kryeministri holandez Rob Jetten.
