Shkup, 19 tetor, Zhurnal.mk – Vangelina Parmaçka nga fshati Budinarci i Berovës është ndër 100 gratë nga e gjithë bota të përzgjedhura në iniciativën e Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë së Kombeve të Bashkuara (FAO) “100 Heroina Grash në Sistemet Agro-Ushqimore dhe Zhvillimin Rural”. Më 15 tetor ajo përfaqësoi Maqedoninë në Forumin botëror të ushqimit në Romë, ku u njoh në selinë e FAO-s për kontributin e saj në bujqësi dhe për avokimin për të drejtat e grave rurale, njofton FAO.
Parmaçka së bashku me familjen e saj, drejton një fermë me rreth 600 dele dhe prodhon djathë tradicional dele. Jeta e saj e përditshme i është kushtuar kujdesit për kafshët, prodhimit dhe marketingut të ushqimit dhe ajo e sheh blegtorinë si një profesion nga i cili mund të fitosh një jetë të ndershme dhe dinjitoze.
“Ky është një profesion i kënaqshëm nga i cili mund të fitosh një jetë të ndershme. Jam krenare që jam fermere dhe që duke punuar së bashku sigurojmë jetesën e familjes sonë”, thotë Parmaçka.
Përveç punës në fermën familjare, ajo është anëtare e Bordit drejtues dhe koordinatore e Rrjetit të grave fermere në Federatën kombëtare të fermerëve (NFF), ku ajo avokon për njohje më të madhe të punës së grave rurale, forcimin e të drejtave të tyre dhe përmirësimin e kushteve të punës dhe jetesës.
“Gratë fermere janë shtylla të padukshme të fshatit dhe shtetit. Puna e tyre duhet të njihet dhe vlerësohet”, theksoi Parmaçka.
Përmes veprimeve të përbashkëta në NFF, gratë fermere kontribuuan në inicimin e një mase të veçantë për të mbështetur investimet e tyre në Programin e zhvillimit rural. Avokimi i tyre kontribuoi gjithashtu në krijimin e një programi për të mbështetur sigurimet shoqërore të grave që merren me aktivitet bujqësor, duke hapur rrugën për rregullimin e lejes së lindjes për gratë fermere të regjistruara.
Veprimi i përbashkët sjell ndryshime të vërteta dhe një status më të mirë ekonomik dhe shoqëror për gratë, tha ajo, duke theksuar se bashkimi i forcave lejon që sfidat e përbashkëta të transformohen në propozime dhe zgjidhje konkrete.
Iniciativa e FAO-s po zbatohet në kuadër të Vitit ndërkombëtar të grave fermere 2026 të shpallur nga Kombet e Bashkuara me qëllim që të nxjerrë në pah kontributin e grave në prodhimin, përpunimin dhe tregtinë e ushqimit, si dhe në zhvillimin e komuniteteve rurale.
“Njohja për Parmaçkën nxjerr në pah rolin e grave fermere nga Maqedonia e Veriut dhe kontributin e tyre në prodhimin e ushqimit, zhvillimin e fermave familjare dhe avokimin për kushte më të mira në bujqësi. Ajo beson se një mbështetje më e madhe, mundësi të barabarta dhe kushte më të mira mund të inkurajojnë më shumë gra të qëndrojnë në bujqësi dhe të zhvillojnë potencialin e tyre. Udhëtimi i saj nga Budinarci në Romë tregon se puna në një fermë familjare mund të jetë baza për një angazhim më të gjerë shoqëror i cili kontribuon në përparimin e grave në zonat rurale”, thuhet në deklaratën e FAO-s.
