Editorial / Çiftet e reja frikësohen të bëjnë më shumë se 1 ose 2 fëmijë – shkak kriza ekonomike…

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 tetor – Në Maqedoninë e Veriut, mesatarja e fëmijëve që lind një çift, i njohur edhe shkalla totale e fertilitetit gjatë 10 viteve të fundit sillet midis 1.4 dhe 1.47 fëmijë për grua. Të dhënat specifike tregojnë një rënie të ndjeshme në krahasim me dekadat e kaluara, duke e renditur vendin nën pragun e zëvendësimit të popullsisë, i cili duhet të jetë 2.1 fëmijë për çift. Arsyet janë të shumta pse ndodhë kjo dukuri, por mbi të gjitha është kriza ekonomike. Me këtë trend, plakja e popullatës është e shpejtë që nënkupton që në shtet kemi çdo ditë e më shumë çifte që nuk mund të bëjnë fëmijë, shkruan “Zhurnal.mk”.

Një çift bën 1 ose 2 fëmijë!

Nga vitet e fundit 2024–2026, shkalla e fertilitetit ka mbetur e ulët, duke u luhatur rreth 1.4 deri në 1.47 fëmijë për grua. Gjatë kësaj periudhe, mesatarja ka qëndruar pothuajse në të njëjtat nivele (rreth 1.44 – 1.47), por numri i përgjithshëm i lindjeve reale ka rënë me rreth 30% për shkak të zvogëlimit të numrit të grave në moshë riprodhuese dhe emigrimit. Për shembull, vetëm nga viti 2023 në vitin 2024, lindjet e gjalla ranë nga 16,737 në 16,061. Kjo prirje tregon se shumica e çifteve në Maqedoninë e Veriut sot zgjedhin të kenë vetëm një ose më së shumti dy fëmijë.
Për shkak të lindjeve të pakta në 20 vitet e fundit, tani Maqedonia e Veriut ka një popullsi gjithnjë e më të plakur, mosha mesatare ka kaluar mbi 41 vjeç. Kjo do të thotë se ka më pak njerëz në moshë biologjike për të bërë fëmijë dhe më shumë njerëz në moshë të thyer.

Pse ka rënie të numrit të lindjeve

Rënia e numrit të lindjeve dhe shkalla e ulët e fertilitetit në Maqedoninë e Veriut është rezultat i një kombinimi kompleks faktorësh ekonomikë, shoqërorë dhe demografikë.

Maqedonia e Veriut ka humbur një pjesë të madhe të popullsisë në moshë riprodhuese (të rinjtë e moshës 18-35 vjeç) të cilët largohen jashtë vendit për mundësi më të mira pune dhe jetese. Kur ikën kjo shtresë, vendi humb “bazën riprodhuese” – ata që do të martoheshin dhe do të lindnin fëmijë brenda vendit.

Gjithashtu, rritja e çmimeve, vështirësitë për të blerë apo marrë me qira një banesë, pproblemi i shtëpive të vogla apo të papërballueshme dhe pagat që shpesh nuk mbulojnë shpenzimet e rritjes së një fëmije, i shtyjnë çiftet të mendohen gjatë. Rritja e një fëmije sot kërkon kosto të larta në arsim, shëndetësi dhe ushqim, prandaj dilemat te çiftet janë a duhet apo jo të lindin fëmijë dhe sa fëmijë duhet të kenë.

Gratë në Maqedoninë e Veriut janë shumë më të arsimuara dhe të përfshira në tregun e punës se sa dekada më parë. Përqendrimi tek stabiliteti financiar dhe ndërtimi i karrierës bën që krijimi i familjes të shtyhet për më vonë. Shpesh, mungesa e politikave mbështetëse, si çerdhet e mjaftueshme apo fleksibiliteti në punë e bën të vështirë balancimin mes punës dhe rritjes së shumë fëmijëve.

Mosha mesatare se kur njerëzit martohen ose kur një grua lind fëmijën e parë është rritur ndjeshëm, tani rreth moshës 28-30 vjeç. Nga pikëpamja biologjike, sa më vonë të fillojë krijimi i familjes, aq më pak kohë mbetet për të pasur fëmijë të tjerë, fëmijë të dytë apo të tretë, shkruan “Zhurnal.mk”.

Shuarje e heshtur e një populli!

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka mbajtur një qëndrim shumë të ashpër dhe të zëshëm lidhur me krizën demografike, duke deklaruar hapur se krijimi i një familjeje me shumë fëmijë është akti më i lartë patriotik që një qytetar mund të bëjë për atdheun e vet. Mickoski ka theksuar se rënia e lindshmërisë është një çështje e mbijetesës kombëtare. Ai ka paralajmëruar se çdo gjë nën këtë nivel do të thotë “shuarje e heshtur e një populli”.

Nëse ky trend vazhdon, brenda 20 viteve vendi rrezikon të bjerë nën 1 milion banorë, gjë që do të çonte në kolaps të plotë të sistemit shëndetësor dhe të pensioneve. Në vitin 1950 kur në Maqedoninë e Veriut lindnin mbi 50,000 fëmijë, ndërsa tani në vitet e fundit rreth 16,000 fëmijë.

Kryeministri Mickoski kishte proppozuar idenë që për të frenuar rënien e lindshmërisë, mendon seriozisht mundësinë e vendosjes së taksave shtesë për personat që qëndrojnë beqarë ose të pamartuar, si një masë nxitëse për martesën dhe krijimin e familjeve.
Edhe përkundër këtyre shqetësimeve, qeveria e kryeministrit Mickoski nuk ka dhënë asnjë ide se si do t’i përkrahë ata që duan të bëjnë më shumë fëmijë.

Politika e “fëmijës së tretë” e qeverisë së Nikolla Gruevskit ka qenë ndërhyrja më e madhe dhe më e kushtueshme në historinë e Maqedonisë së Veriut, e cila u miratua si ligj në fillim të vitit 2009 dhe hyri në fuqi zyrtarisht më 1 maj 2009. Familjet që kanë fëmijë të tretë përfitojnë afër 150 euro në muaj për dhjetë vite me radhë, ndërsa për fëmijën e katërt kishte një mbështetje afër 200 euro.

Kur qeveria e LSDM-së erdhi në pushtet, ajo e shfuqizoi këtë shtesë mujore 10-vjeçare në nëntor të vitit 2018. Arsyetimi zyrtar i ministrisë ishte se ligji nuk kishte dhënë asnjë efekt pozitiv në rritjen e natalitetit dhe po rëndonte buxhetin.
Kjo qasje ndaj çifteve të reja nuk duhet të mbetet vetëm në fjalë por me mbështetje konkrete. Prandaj, e vetmja mënyrë afatgjatë për të ndaluar plakjen e popullsisë dhe tkurrjen e një kombi është mbështetja e fuqishme, direkte dhe e qëndrueshme për çiftet e reja dhe fëmijët.

Nëse shteti dëshiron që të rinjtë të marrin guximin për të krijuar familje dhe për të pasur më shumë fëmijë, zgjidhja nuk vjen me thirrje morale apo “taksat e beqarisë”, por me masa praktike që ua lehtësojnë jetën e përditshme, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër