Shkup, 21 tetor, Zhurnal.mk – Në Maqedoninë e Veriut paradokset po shndërrohen në normalitet. Në njërën anë, qytetarët përballen me një kosto jetese që vazhdon të rritet nga muaji në muaj, ndërsa në anën tjetër pushteti flet për shtim të natalitetit dhe familje me më shumë fëmijë. Kjo përplasje mes realitetit ekonomik dhe mesazheve politike po e bën gjithnjë e më të vështirë ndërtimin e një narrative bindëse për të ardhmen e vendit, shkruan Zhurnal.
Sa ka arritur shporta sindikale?
Kur një familjeje katëranëtarëshe i nevojiten mbi 70 mijë denarë në muaj për të mbijetuar, ndërsa mijëra punëtorë vazhdojnë të jetojnë me paga që mezi mbulojnë ushqimin, nuk duhet ta mendojmë se sa fëmijë duhet të ketë një familje por nëse ajo familje arrin të mbijetojë me dinjitet.
Në të njëjtën kohë, borxhi publik vazhdon trajektoren në rritje dhe po afrohet drejt një niveli rekord që tejkalon 11 miliardë euro. Përballë këtyre treguesve, optimizmi demografik nuk mjafton pa siguri ekonomike.
Shporta minimale sindikale për muajin tetor ka arritur në 70.358 denarë, duke e vendosur edhe një herë në qendër të vëmendjes krizën e standardit jetësor. Krahasuar me muajin shtator, ajo është rritur për 926 denarë, ndërsa në raport me fillimin e vitit është shtrenjtuar për gati 4.000 denarë. Kjo do të thotë se familjet po detyrohen të shpenzojnë gjithnjë e më shumë për të ruajtur të njëjtin nivel minimal të jetesës.
Më shqetësues është fakti se vetëm për ushqim dhe pije nevojiten 26.170 denarë në muaj. Kjo shumë tashmë e kalon pagën minimale prej 26.046 denarësh. Me fjalë të tjera, një punëtor që merr pagë minimale nuk mund të mbulojë as shpenzimet bazë ushqimore të familjes së tij, pa llogaritur energjinë elektrike, ujin, ngrohjen, transportin, ilaçet apo nevojat e fëmijëve.
Borxhi do të kalojë 11 miliardë euro deri në fund të vitit
Sikur të mos mjaftonte presioni mbi buxhetet familjare, vendi po përballet edhe me një rritje të vazhdueshme të borxhit publik. Sipas vlerësimeve të paraqitura nga deputeti Fatmir Bytyqi, në vetëm dy vjet e gjysmë borxhi është rritur për rreth 2.5 miliardë euro, ndërsa me huazimet e reja të paralajmëruara pritet të kalojë kufirin e 11 miliardë eurove deri në fund të vitit.
Debati nuk lidhet vetëm me shifrën e borxhit, por edhe me mënyrën se si menaxhohen financat publike. Kritikat për ribalancimin e buxhetit dhe uljen e investimeve kapitale hapin pikëpyetje serioze mbi prioritetet e qeverisë. Në vend që huamarrja të shoqërohet me investime të mëdha që krijojnë vende pune dhe rritje ekonomike, po shtohen shqetësimet se një pjesë e konsiderueshme e mjeteve nuk po gjeneron efektin e pritshëm zhvillimor.
Borxhi në vetvete nuk është domosdoshmërisht problem, nëse ai prodhon zhvillim. Problemi shfaqet kur qytetarët shohin se standardi i jetesës nuk përmirësohet, investimet publike reduktohen dhe shpenzimet bazë bëhen gjithnjë e më të rënda. Kush do ta paguajë këtë borxh nesër dhe çfarë po fiton shoqëria sot nga ai?
Qeveria po promovon familje me shumë fëmijë
Në këtë realitet ekonomik, kryeministri Hristijan Mickoski vazhdon të insistojë në politikat për familjet me shumë fëmijë në qendër të vizionit të tij për të ardhmen demografike të vendit. Argumenti i tij është se Maqedonia e Veriut duhet të shmangë varësinë nga fuqia punëtore migrante dhe të krijojë bazat e zhvillimit përmes rritjes së popullsisë vendase.
Megjithatë, problemi lind kur politika demografike nuk shoqërohet me një politikë të fuqishme sociale dhe ekonomike. Familjet nuk marrin vendime për zgjerimin e tyre mbi bazën e deklaratave politike, por mbi bazën e sigurisë financiare, punësimit dhe perspektivës për të ardhmen.
Prandaj, kur qytetarët dëgjojnë thirrje për më shumë fëmijë në një kohë kur edhe ushqimi kushton më shumë se një pagë minimale, mesazhi rrezikon të tingëllojë i shkëputur nga realiteti. Familjet nuk kanë nevojë për leksione patriotike mbi natalitetin. Ato kanë nevojë për paga më të larta, çmime më të përballueshme, çerdhe, shkolla cilësore dhe siguri ekonomike që ua mundëson planifikimin e së ardhmes. /Zhurnal.mk
