Hasan: Në Komunën Qendër ka rreth 3.000 paraqitje të pazgjidhura nga qytetarët

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 tetor, Zhurnal.mk – Anëtarja e Komitetit Komunal të VMRO-DPMNE-së në Qendër, Suzan Hasan, në një konferencë për media në Debar Maallë, vuri në dukje probleme që lidhen me një objekt në rrugën “Orce Nikollov”, për të cilin qytetarët raportojnë se një pjesë e sipërfaqes së tij zë tokë shtetërore.

Hasan kërkoi që Komuna Qendër urgjentisht t’i verifikojë këto pretendime, ta përcaktojë gjendjen faktike dhe juridike të tokës dhe ta informojë publikisht popullatën për masat e ndërmarra.

Përveç këtij rasti konkret, VMRO-DPMNE ngriti edhe çështjen e kapaciteteve të inspektoratit komunal të ndërtimit dhe të lëndëve të grumbulluara në sirtarët e komunës.

“Për më tepër, hapet çështja serioze e kapacitetit të inspektoratit të ndërtimit, i cili sipas informacioneve tona aktualisht as nuk ekziston. Sipas informacioneve që marrim, në Komunën Qendër ka rreth 3.000 paraqitje të pazgjidhura nga qytetarët. Këto të dhëna kërkojnë konfirmim zyrtar nga Komuna”, deklaroi Hasan.

Ajo i drejtoi një pyetje të drejtpërdrejtë kryetarit të komunës, Goran Gerasimovski, lidhur me dinamikën e zgjidhjes së kërkesave të banorëve.

“Zotëri Beton Gerasimovski, nëse tani filloni t’i zgjidhni problemet e grumbulluara, sa kohë do t’u duhet qytetarëve për të marrë përgjigje? Komuna nuk guxon të mbetet e bllokuar në probleme administrative, ndërsa qytetarët presin që institucionet ta kryejnë punën e tyre”, tha ajo.

Nga partia opozitare rikujtuan premtimet zgjedhore të dhëna gjatë fushatës së vitit 2025.

“Në paraqitjet publike gjatë fushatës së vitit 2025, Beton Gerasimovski së bashku me mentorin e tij Filipçe e theksonin komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët dhe takimet ‘derë më derë’. Por qytetarët presin që ky komunikim të sjellë edhe rezultate konkrete institucionale”, shtoi Hasan.

Në fund të deklaratës, ajo përmblodhi kërkesat drejtuar administratës komunale.

“Prandaj kërkojmë që Komuna Qendër ta sqarojë statusin e paraqitjes për këtë objekt, ta funksionalizojë inspektoratin e ndërtimit dhe të fillojë me zgjidhjen e 3.000 paraqitjeve të qytetarëve që aktualisht ndodhen në sirtar. Qytetarët nuk kërkojnë diçka të pamundur. Ata kërkojnë një komunë funksionale, veprim në përputhje me ligjin dhe përgjigje për paraqitjet që i dorëzojnë”, përfundoi Hasan.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër