Berisha: Protestat nuk janë ANTIFA, Rama po kërcënon me lista të zeza

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 21 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se kryeministri Edi Rama po kërcënon protestuesit, pasi ata nuk pranuan të shkojnë në dialog me të.

Në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, Berisha tha se kryeministri Rama vazhdon me kërcënime nga më të ndryshmet ndaj protestuesve.

Sipas kreut të PD-së, Rama ka ndryshuar qëndrim pas refuzimit të protestuesve për dialog.

“Edi Rama nga paniku i tmerrshëm që e ka ngërthyer, frika e madhe se dita e llogarisë po vjen, ka humbur logjikën, arsyen dhe është lëshuar në kërcënime bajate, vulgare që faktojnë të gjithë arketipin e tij psikologjik, genet e paraardhësve të tij prej xhelatësh dhe vazhdon kërcënime nga më të ndryshmet ndaj protestuesve”, u shpreh Berisha.

“Në mëngjes i fton për dialog. Pasi ia përmbysin karriget, del tani me fjalim tjetër me bankierët dhe mendon se fuqinë monetare të bankave do mund ta kthejë kundër protestës”, tha Berisha, duke shtuar se bankat funksionojnë sipas ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare të sektorit financiar.

Kreu i PD-së pretendoi se Rama ka kërcënuar protestuesit me përfshirje në lista të zeza.

“Sot ai kërcënoi protestuesit për blacklistime, për linçime, për heqje pasaportash udhëtimi, për bllokimin të aksesit në transport publik. I nxjerr të gjitha nga arkiva e etërve të tij. Kërcënon se do u bëjë ngarkim zhdëmtimin”, tha Berisha.

Berisha e cilësoi hipokrizi që kryeministri të flasë për dëmet e shkaktuara nga protesta.

“Flet për dëme ky njeri që ka zhdukur 130 milionë euro në djegësin e Tiranës, që ka zhdukur në total 200 milionë euro me tre djegësat, asnjëri prej tyre nuk punon”, deklaroi Berisha, duke iu referuar inceneratorëve.

Berisha akuzoi kryeministrin se po përpiqet ta paraqesë protestën si një lëvizje anarkiste, për të larguar vëmendjen nga akuzat për korrupsion dhe lidhje me krimin.

“Protesta nuk ka asnjë element të ANTIFA-s. Lëvizja është kundër vjedhjeve të tmerrshme të tij”, u shpreh Berisha.

Ai tha se pjesëmarrësit në protestë janë studentë dhe gjimnazistë, shumë prej të cilëve, janë fëmijë emigrantësh që janë rritur pa njërin prej prindërve për shkak të emigracionit.

“Këta nuk janë ANTIFA. Dhe pikërisht dështoi në mënyrën më të turpshme kur ky u përpoq t’u japë pamjen ANTIFA dhe organizoi sulmin ndaj selisë së PD. Dhe organizoi sulmet ndaj selive të PD në të gjitha rrethet”, deklaroi Berisha, duke theksuar se përpjekjet për të lidhur protestuesit me elementë ekstremistë kanë dështuar.

Berisha u shpreh se protestuesit janë “studente dhe studentë, gjimnaziste e gjimnazistë në kuptimin absolut liberatorë aq sa ishin studentët e vitit 1990”.

Sipas Berishës, Rama e ndërtoi vetë diktaturën pasi siç u shpreh ai, ky vend kishte 100 probleme, por rotacionin politik e pati disa herë.

“Ligjet e këtij vendi mund të defekte, por rotacionin nuk e penguan. Ti bllokove rotacionin se ti shndërrove zgjedhjet në farsë”, iu drejtua Berisha, kryeministrit duke i kërkuar dorëheqjen. “Jep dorëheqjen se është më mirë fati i Ramiz Alisë se fati i Çausheskut.
Këta të rinj kanë vendosur të marrin fatin e Shqipërisë në duar dhe këtyre u takon fati i Shqipërisë”, deklaroi kreu i PD-së.

Berisha përmendi edhe uljen e prodhimit industrial gjatë qeverisjes së mazhorancës socialiste me 15,3%, eksporteve me 28% gjatë katër viteve ndërsa përsëriti se në një dekadë janë larguar nga Shqipëria 1 milion e 99 mijë shqiptarë, vetëm drejt hapësirës Shengen.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër