Tiranë, 23 tetor, Zhurnal.mk – Mjeku Ermal Pashaj ka bërë thirrje për bashkim dhe solidaritet me studentët, teksa i kërkoi kryeministrit Edi Rama që të japë dorëheqjen si akt i parë i përgjegjësisë për krizën që ka përfshirë vendin dhe më pas krijimin e një qeverie tranzitore.
Nga sheshi para kryeministrisë, mjeku Ermal Pashaj lexoi deklaratën e përbashkët të nënshkruar nga 120 profesionistë të shëndetësisë, ku kërkohet gjithashtu që Policia të garantojë jetën dhe shëndetin e qytetarëve, të mbrojë pronën publike dhe private, si dhe të shmangë përdorimin e gazit lotsjellës në përmasa që rrezikojnë banorët, fëmijët dhe të moshuarit.
Mjekët kërkojnë gjithashtu që asnjë person i lënduar të mos lihet pa ndihmë dhe që çdo denoncim për abuzim policor të hetohet në mënyrë të pavarur, të plotë dhe transparente.
Në deklaratë u bëhet thirrje edhe përfaqësive diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare të ndjekin nga afër situatën dhe të kërkojnë respektimin e të drejtave dhe lirive themelore.
Deklarata e mjekut Ermal Pashaj
Ne nënshkruesit e kësaj deklarate, mjekë, stomatologë, farmacitë dhe punonjës të tjerë, i bashkohemi protestës së studentëve në mbrojtje të jetës, dinjitetit dhe të ardhmes së Shqipërisë, misioni ynë për të mbrojtur jetën dhe shëndetin dhe lehtësuar vuajtjen na ngarkon me përgjegjësinë të reagojmë kur cenohet integriteti dhe dinjiteti njerëzor. Nuk mund të qëndrojmë të heshtur përballë dhunës ndaj të rinjve dhe cenimit të së drejtës së tyre për protestë paqësore.
Arsimimi cilësor, mundësitë e ndershme dhe e drejta për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre janë çështje që na përkasin të gjithëve. Në kushtet e krijuara për mbrojtjen e jetës, kërkojmë veprime konkrete të menjëhershme. Ky grupim kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama si akt të marrjes si përgjegjësisë politike për krizën dhe përshkallëzimin e saj dhe krijimin e një qeverie tranzitore me përbërje teknike që të mundësojë daljen paqësore nga kjo situatë.
Funksionimin e institucioneve dhe rikthimin e besimit qytetar dhe respektimin e vullnetit të tyre. Dënojmë dhunën e ushtruar ndaj studentëve dhe atyre që janë angazhuar për t’u dhënë ndihmën e parë të lënduarve.
U bëjmë thirrje punonjësve të policisë së shtetit të garantojnë mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit të qytetarëve si dhe paprekshmërinë e pronës publike dhe private duke vepruar në çdo rast në përputhje me ligjin. Kërkojmë që ndërhyrjet policore të mbrojnë dhe banorët dhe kalimtarët gjithashtu dhe personat që nuk marrin pjesë në protestë. Përdorimi në përmasa të mëdha i gazit lotësjellës në qendër të qytetit dhe zona të banuara mund të ekspozojë pa dallim qytetarët në çdo moshë, përfshirë këtu fëmijët dhe të moshuarit.
Si profesionistë të shëndetësisë e konsiderojmë të papranueshme lënien pa ndihmë të personave të lënduar, veçanërisht kur ata janë pa ndjenja dhe në pamundësi për të kërkuar ndihmë. Kërkojmë hetim të shpejtë, të pavarur, të plotë dhe transparent të çdo denoncimi për abuzim, përfshirë çdo veprim apo mosveprim të shkaktuar që ka shkaktuar dëmtime, ka rrezikuar jetën ose ka penguar apo vonuar dhënien e ndihmës shëndetësore.
U bëjmë thirrje përfaqësive diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare të ndjekin nga afër zhvillimet, të mbajnë qëndrime publike të qarta në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore dhe të këmbëngulin në hetime të pavarura për çfarëdo lloj shkelje. Mbrojtja e jetës dhe e protestës paqësore kërkon vëmendje të veçantë dhe angazhim të vazhdueshëm.
U bëjmë gjithashtu thirrje protestuesve të ruajnë karakterin paqësor të protestës, të mos bien pre e provokimeve dhe të mbrojnë njëri tjetrin, të shmangin veprime që rrezikojnë jetën ose cenojnë sigurinë e saj. Protesta e qytetarëve ruan forcën e saj duke mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe qëllimin e përbashkët të kësaj përpjekje.
U bëjmë thirrje kolegëve tanë në të gjitha profesionet e shëndetësisë si dhe qytetarët t’u bashkohen studentëve. me praninë, zërin dhe solidaritetin e tyre. Angazhimi ynë duhet të garantojë njëkohësisht vazhdimësinë e shërbimeve shëndetësore dhe kujdesin e pandërprerë për këdo që është pacient bashkë me studentët për jetën, për dinjitetin dhe të ardhmen e Shqipërisë. /a2cnn/
