Incident në një studio në Meksikë – moderatori godet me shqelm dronin, i cili përplas në fytyrë modelen

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Moderatori i emisionit meksikan, “Es Show”, Ernesto Chavana, gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë goditi me shqelm një dron që po fluturonte në studio, por pajisja përfundoi duke goditur në fytyrë modelen dhe valltaren kolumbiane, Isabella Rojas.

Ajo pësoi lëndime të lehta në buzë.

Incidenti ndodhi në studion e televizionit Canal 6 të rrjetit Multimedios, në Monterrey, ndërsa pamjet e ngjarjes u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale.

Foto: Screenshot/X

Në video shihet droni duke fluturuar pranë moderatorit, i cili ngre këmbën dhe e godet me shqelm.

Pas goditjes, pajisja fluturon në drejtim të pjesëmarrësve të tjerë të emisionit dhe e godet drejtpërdrejt Rojas në fytyrë.

Modelja reagoi menjëherë duke mbuluar fytyrën me duar, derisa koleget iu afruan për ta ndihmuar dhe e shoqëruan prapa kamerave.

Foto: Screenshot/X

Ndërkohë, emisioni vazhdoi transmetimin, ndonëse asaj po i jepej ndihmë jashtë kuadrit të kamerave.

Pas kontrollit nga personeli i urgjencës, Rojas u kthye në studio disa minuta më vonë dhe bëri të ditur se lëndimet ishin të lehta.

Më pas, ajo publikoi edhe fotografi ku shihej lëndimi në buzën e sipërme.

Pas incidentit, Chavana i kërkoi falje modeles gjatë emisionit dhe mori përgjegjësinë për atë që ndodhi.

artikuj të ndërlidhura