AUV: Sekuestrohen rreth dy tonë mish dhe produkte mishi në Radovish dhe Pepelishte

Nga D V
A+ A-
Rivendos
Shkup, 29 tetor, Zhurnal.mk – Shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dje kanë kryer kontrolle të jashtëzakonshme inspektuese në objektet e shitjes me pakicë të mishit, përgatitjeve dhe produkteve të përpunuara të mishit në territorin e komunës së Radovishit, si dhe te një person fizik në fshatin Pepelishte të Negotinës, i cili prodhonte dhe shiste përmes rrjeteve sociale produkte mishi të tymosura dhe çvarci.
Gjatë kontrolleve në Radovish janë sekuestruar rreth dy tonë mish i freskët dhe i ngrirë, si dhe përgatitje mishi të pasigurta për konsum, të cilat sot do të asgjësohen në deponinë “Drislla”.
Në Pepelishte, nga një person fizik që ushtronte veprimtari të pamiratuar nga Agjencia, përkatësisht prodhimin e produkteve të mishit të tymosur dhe çvarcive, janë sekuestruar edhe 50 kilogramë të tjera përgatitjesh mishi, si peçenicë, kulen, proshutë e tymosur dhe produkte të ngjashme.
Produktet e sekuestruara nuk kishin deklaracion për origjinën dhe ishin ruajtur e përpunuar në kushte të papërshtatshme dhe johigjienike, duke paraqitur rrezik serioz për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e konsumatorëve.
Institucionet kompetente vazhdojnë me kontrollet inspektuese me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe parandalimin e prodhimit dhe tregtimit të paligjshëm të ushqimit të pasigurt.

artikuj të ndërlidhura