Chelsea këshillohet të transferojë yllin e Barcelonës në vend të Alex Scottit

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Chelsea është këshilluar që të synojë transferimin e mesfushorit të Barcelonës, Frenkie de Jong, në vend të Alex Scottit të Bournemouthit, teksa londinezët po kërkojnë të përforcojnë repartin e mesfushës. Këtë sugjerim e ka dhënë ish-mbrojtësi i “Bluve”, Glen Johnson.

Në një prononcim për Action Network, Johnson vlerësoi cilësitë e mesfushorit holandez, duke theksuar se ai do të ishte një përforcim i rëndësishëm për Chelsean, nëse arrin të jetë në gjendje të mirë fizike.

“Nëse Frenkie de Jong është i gatshëm fizikisht, ai është një lojtar i shkëlqyer”, deklaroi Johnson, duke pranuar se mbeten pikëpyetje rreth gjendjes së tij fizike dhe kostos së mundshme të transferimit.

“Zoti e di se sa do të kushtonte, por përderisa është në gjendje të mirë fizike, mendoj se do të ishte një transferim i shkëlqyer”, shtoi ai.

Ndërkohë, Chelsea raportohet se ka parë të refuzohet një ofertë prej 64 milionë eurosh për Alex Scottin, me Bournemouthin që thuhet se e vlerëson mesfushorin 23-vjeçar rreth 100 milionë euro.

Për shërbimet e reprezentuesit anglez ka shfaqur interesim edhe Liverpooli.

Johnson e vlerësoi përparimin e Scottit, i cili ka nisur mirë sezonin dhe ka fituar hapësirë në përfaqësuesen e Anglisë.

Megjithatë, ish-mbrojtësi i Chelseat beson se nevojiten më shumë paraqitje për të vërtetuar nëse mesfushori mund të jetë vazhdimisht në nivelin e kërkuar nga një skuadër që synon katër vendet e para.

“Ende nuk e dimë këtë, por ai ka treguar disa momente shumë të mira, e ka nisur sezonin në mënyrë të shkëlqyer dhe, natyrisht, është përfshirë në përfaqësuesen e Anglisë. Kjo vetëm sa do t’ia rrisë vetëbesimin”, u shpreh Johnson.

“Mendoj se duhet të shohim edhe më shumë prej tij, por besoj se është në rrugën e duhur për të luajtur në njërën prej skuadrave më të mëdha”, përfundoi ai.

artikuj të ndërlidhura