12 emigrantë gjenden të vdekur në një varkë pranë Kretës

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Athinë, 9 nëntor, Zhurnal.mk – Dymbëdhjetë persona kanë humbur jetën në një varkë që transportonte shtetas të huaj, rreth 15 milje detare në jugperëndim të Kali Limenes, në jug të ishullit të Kretës.

Ndërkohë, operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në një zonë të gjerë detare. Në tri incidente të veçanta janë shpëtuar gjithsej 105 shtetas të huaj.

Sipas Rojës Bregdetare Greke, varka e parë u pikas nga një anije tregtare me flamur maroken, e cila po kalonte në atë zonë dhe mori pjesë në operacionin e shpëtimit nën koordinimin e Qendrës së Përbashkët të Koordinimit të Shpëtimit Detar.

Nga kjo varkë u shpëtuan 18 persona.

Një anije patrulluese e Rojës Bregdetare Greke mbërriti në vendngjarje dhe mori në bord të mbijetuarit. Gjithashtu, personeli i Rojës Bregdetare nxori nga varka 12 trupat e pajetë, duke zbuluar përmasat e tragjedisë.

Anija patrulluese është drejtuar drejt portit të Agia Galinit, duke transportuar si të mbijetuarit, ashtu edhe trupat e viktimave.

Ndërkohë, në zonën detare në jug të Kretës u zhvilluan edhe dy operacione të tjera kërkim-shpëtimi, të koordinuara gjithashtu nga Qendra e Përbashkët e Koordinimit të Shpëtimit Detar.

Në incidentin e parë, një dron i Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (Frontex) zbuloi një varkë me rreth 40 shtetas të huaj, 31 milje detare në juglindje të Kali Limenes.

Personat në bord u shpëtuan nga një anije e Frontex-it dhe pritet të transportohen në portin e Kali Limenes.

Në incidentin e tretë, një avion i Frontex-it zbuloi një tjetër varkë me rreth 47 persona, 30 milje detare në jug të Kali Limenes. Më pas, një anije e kësaj agjencie evropiane kreu operacionin e shpëtimit. Edhe këta persona pritet të dërgohen në portin e Kali Limenes.

Sipas informacionit më të fundit, tri operacionet përfunduan me shpëtimin e rreth 105 personave dhe nxjerrjen e 12 trupave të pajetë.

artikuj të ndërlidhura