Pushteti duhet të ofrojë zgjidhje, zgjedhjet parakohe zvarrisin zgjidhjet!

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 nëntor, Zhurnal.mk – Tema e zgjedhjeve të parakohshme është përsëritur aq shumë në hapësirën politike sa në shumë raste është banalizuar. Sa herë që paraqitet një ngërç politik, një mospajtim mes partive apo një kalkulim elektoral, në opinion hidhet ideja e zgjedhjeve të parakohshme si zgjidhja magjike për çdo problem. Mirëpo, pushteti nuk zgjidhet për t’i dërguar qytetarët vazhdimisht në kutitë e votimit, por për t’u shërbyer atyre deri në përfundim të mandatit që ka marrë. Qytetarët japin besimin e tyre për katër vjet dhe po aq gjatë kërkojnë rezultate, projekte dhe përgjegjësi. Puna i takon pushtetit, ndërsa kritika opozitës. Në një demokraci funksionale, zgjedhjet janë mekanizëm i domosdoshëm, por jo çdoherë ofrojnë zgjidhje, shkruan Zhurnal.

Mexhiti: koalicioni qeverisës i fokusuar te zgjidhjet dhe projektet, jo te zgjedhjet

Deklaratat e fundit të bashkëkryetarit të VLEN-it, Izet Mexhiti, dërgojnë një mesazh të qartë se shumica qeverisëse aktualisht nuk është e interesuar të hapë debat për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sipas tij, prioritet i partnerëve të koalicionit mbetet realizimi i projekteve dhe adresimi i çështjeve me interes për qytetarët, e jo kalkulimet elektorale.

Duke komentuar spekulimet për zgjedhje të mundshme të parakohshme, Mexhiti vuri në pah se komunikimi me kryeministrin Hristijan Mickoski është i rregullt dhe se bashkëpunimi brenda Qeverisë vazhdon normalisht. Kjo tregon se pavarësisht dallimeve që mund të ekzistojnë mes partnerëve, funksionimi institucional nuk është vënë në pikëpyetje.

Në fakt, vetë pranimi i ekzistimit të mendimeve të ndryshme brenda koalicionit është tregues i një realiteti politik normal. Asnjë qeveri koalicioni nuk funksionon mbi bazën e pajtueshmërisë absolute. Rëndësi ka aftësia për t’i menaxhuar mosmarrëveshjet përmes dialogut dhe institucioneve, pa prodhuar kriza artificiale apo tensione të panevojshme.

Kur Mexhiti deklaron se “jemi të fokusuar te zgjidhjet dhe jo te zgjedhjet”, ai në fakt prek thelbin e pritjeve që qytetarët kanë nga çdo pushtet. Votuesit nuk i zgjedhin politikanët për të numëruar muajt deri në zgjedhjet e ardhshme, por për të zgjidhur problemet që i preokupojnë çdo ditë, nga ekonomia dhe infrastruktura deri te arsimi dhe shëndetësia.

Burime nga VMRO-DPMNE për Zhurnal: Nuk ka zgjedhje të parakohshme parlamentare, vëmendja mbetet te puna e Qeverisë dhe realizimi i programit të saj

Në të njëjtën linjë me deklaratat e partnerëve të koalicionit janë edhe qëndrimet e burimeve nga VMRO-DPMNE, të cilat theksojnë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë pjesë e diskutimeve aktuale brenda partisë. Sipas tyre, fokusi mbetet te realizimi i projekteve dhe përmbushja e programit me të cilin shumica ka marrë mandatin nga qytetarët.

Ky qëndrim reflekton një logjikë politike më të përgjegjshme. Në vend që energjia institucionale të harxhohet në fushata të reja, kalkulime elektorale dhe tensione politike, ajo orienton vëmendjen drejt përmbushjes së zotimeve konkrete. Edhe pretendimet se kërkesat për zgjedhje të parakohshme burojnë më shumë nga interesat e opozitës sesa nga ndonjë krizë reale qeverisëse, përforcojnë bindjen se aktualisht vendi ka më shumë nevojë për qeverisje sesa për zgjedhje.

Qeveritë që nuk përfundojnë mandatin janë jostabile dhe në dëm të qytetarëve

Një nga treguesit më të rëndësishëm të stabilitetit demokratik është aftësia e qeverive për të përfunduar mandatin që u është besuar nga qytetarët. Kur një qeveri zgjidhet mbi bazën e një programi katërvjeçar, pritja logjike është që ajo të ketë kohën dhe hapësirën e nevojshme për ta realizuar atë. Shkuarja e shpeshtë në zgjedhje për shkak të presioneve politike apo interesave afatshkurtra shpesh është shenjë e mungesës së kulturës institucionale dhe e paaftësisë për të menaxhuar sfidat përmes mekanizmave demokratikë.

Qytetarët sot kanë nevojë më shumë për zgjidhje sesa për fushata. Ata presin investime, zhvillim ekonomik, vende të reja pune, reforma dhe përmirësim të cilësisë së jetës. Një proces zgjedhor i parakohshëm jo vetëm që kushton qindra mijëra euro nga buxheti i shtetit, por sjell edhe bllokim institucional, ngadalësim të proceseve vendimmarrëse dhe shtyrje të projekteve që janë në realizim e sipër.

Për më tepër, askush nuk garanton se zgjedhjet e ardhshme do të prodhojnë një situatë më të mirë politike. Përkundrazi, mund të krijojnë të njëjtat ekuacione politike, të njëjtat bllokada dhe të njëjtat sfida që ekzistojnë sot. Në atë rast, vendi do të kthehej sërish në pikën zero, me më pak para në buxhet dhe me më shumë kohë të humbur.

Prandaj, në vend të debatit të pafund për zgjedhje të parakohshme, fokusi duhet të mbetet te përgjegjësia për të qeverisur, për të realizuar premtimet dhe për t’u ofruar qytetarëve atë që ata presin realisht zgjidhje konkrete dhe rezultate të matshme. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura