Shkup, 5 nëntor – Raporti më i fundit i Progresit nga Komisioni Evropian për vitin 2026 e gjen Maqedoninë e Veriut në një udhëkryq të njohur, ku arritjet e prekshme ballafaqohen me ngecjet e vazhdueshme. Nga njëra anë, Shkupi zyrtar renditet si një nga performuesit kryesorë të Planit të Rritjes së BE-së dhe duke ruajtur një linjë të palëkundur 100% me politikën e jashtme evropiane, por nga ana tjetër ky sukses zbehet përpara problemeve të brendshme, si ç janë procesi i anëtarësimit, reformat në drejtësi dhe lufta ndaj korrupsionit. Ky raport nuk është thjesht një pasqyrë statistikore, por një thirrje e qartë se progresi në letër dhe në ekonomi nuk mund të zëvendësojë asnjëherë detyrat e shtëpisë në sundimin e ligjit, shkruan “Zhurnal.mk”.
Ku ka vlerësime pozitive për Maqedoninë e Veriut!
Sipas Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2026,fushat ku Maqedonia e Veriut mori vlerësimet më pozitive dhe shënoi progresin më të madh në disa sfera.
Në vend të parë renditet politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes, ku Maqedonia e Veriut ka ruajtur pajtueshmërinë e plotë (100%) me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke treguar një qëndrim të palëkundur dhe strategjik, veçanërisht sa i përket masave dhe sanksioneve lidhur me Ukrainën.
Gjithashtu, vendi u vlerësua si një nga performuesit më të mirë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Komisioni Evropian vlerëson se Shkupi ka bërë përparim vendimtar dhe ka përmbushur në kohë detyrimet e tij për reformat ekonomike dhe strukturore.
Një arritje e rëndësishme e shënuar në raport është miratimi me sukses i udhërrëfyesit për Reformën në Administratën Publike, si dhe përparimi me udhërrëfyesin për Sundimin e Ligjit dhe planet e veprimit për mbrojtjen e pakicave.
Në këtë Raport, gjithashtu është vlerësuar një gjallërim pozitiv të dialogut teknik. Për herë të parë që nga viti 2021, Komiteti i Stabilizim-Asociimit u mblodh në prill të vitit 2026, duke rifilluar punën e rregullt të trupave të përbashkët me BE-në, shkruan “Zhurnal.mk”.
Ku çalojmë më shumë në rrugën e BE-së
Sipas Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, Maqedonia e Veriut ka treguar përparim të kufizuar ose ngecje të theksuara në disa fusha të rëndësishme.
Ngecja më e madhe politike mbetet mosmiratimi i ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë, obligim ky që vendi e ka marrë përsipër por që po mban të bllokuar hapjen zyrtare të kapitujve të anëtarësimit.
Me rëndësi, është re Raporti konstaton se nuk ka përparim domethënës në parandalimin dhe luftën ndaj korrupsionit, i cili mbetet i përhapur në shumë sfera. Kërkohet me ngulm forcimi i hetimeve dhe ndjekja penale e korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe konfiskimi i pasurisë së paligjshme.
Sa i përket reformave në drejtësi, sidomos në kodin penal, Maqedonia e Veriut ka ngecur në harmonizimin e plotë me standardet ndërkombëtare. Brukseli kërkon urgjentisht miratimin e një Kodi të ri Penal dhe Ligji për Procedurën Penale, pas kritikave të vazhdueshme mbi ndryshimet e kaluara që zbutën dënimet për keqpërdorim zyrtar.
Në sferën e Kodit Zgjedhor dhe Dezinformimit, BE-ja vlerëson se nuk është shënuar asnjë progres në përputhjen e Kodit Zgjedhor me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias. Gjithashtu, mbeten të paadresuara siç duhet dezinformimi zgjedhor dhe manipulimet e jashtme të informacionit.
Në kuadër të të drejtave të njeriut dhe mediave, Raporti shpreh shqetësim për rastet e frikësimit dhe fushatave të shpifjeve online ndaj gazetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile. Po ashtu, kërkohet më shumë transparencë për pronësinë e mediave dhe ndarjen e parave publike për reklama shtetërore.
Kritikë shumë e ashpër është vënë në kushtet nëpër burgje, të cilat mbeten problematike, ndërsa vërehet një ngecje në trajtimin efikas të dhunës në familje, dhunës kibernetike dhe femicidit, shkruan “Zhurnal.mk”.
Si vlerësohen raportet ndëretnike në Raportin e progresit!
Në Raportin e progresit që u publikua më 4 nëntor, theksohet se situata ndëretnike mbeti e qëndrueshme dhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit vazhdoi të zbatohet, megjithëse sfidat vazhdojnë.
Në kuadër të sfidave kryesore institucionale dhe politike që lidhen me frymën dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit sipas këtij Raporti, BE-ja kërkon që vendi të përpilojë dhe zbatojë një Plani Veprimi për Mbrojtjen e të Drejtave të Komuniteteve Minoritare. Sfida mbetet kthimi i parimeve të Ohrit në strategji konkrete buxhetore dhe institucionale, e jo vetëm premtime deklarative.
Një nga shtyllat e Ohrit është përfaqësimi i drejtë etnik në institucione. Rekomandimi i vazhdueshëm i BE-së, është që punësimet në administratën publike dhe gjyqësor të bazohen plotësisht në sistemin e meritës dhe profesionalizmit, duke shmangur përdorimin e kritereve etnike si mjete për klientelizëm partiak.
Raporti tërheq vëmendjen mbi klimën e lartë të polarizimit politik midis blloqeve maqedonase dhe shqiptare. Retorika nacionaliste ose akuzat e ndërsjella për “destabilizim” dhe cenim të mekanizmave të ndarjes së pushtetit shihen si sfidë direkte për kohezionin e brishtë social të garantuar nga Marrëveshja e Ohrit.
Edhe pse korniza ligjore për përdorimin e gjuhëve ka avancuar, sfidë mbetet zbatimi i plotë dhe i barabartë i gjuhës shqipe në nivel të institucioneve qendrore, gjykatave dhe administratës për shkak të barrierave burokratike ose mungesës së kapaciteteve përkthyese.
BE-ja shpreh shqetësim për faktin se fëmijët dhe të rinjtë vazhdojnë të jenë të ndarë de facto nëpër shkolla sipas gjuhës dhe përkatësisë etnike, gjë që e mban shoqërinë të segmentuar dhe ushqen stereotipet, duke shkuar ndesh me qëllimin afatgjatë të Ohrit për një shoqëri të integruar multietnike.
Përkundër këtyre vërejtjeve dhe vlerësimeve, Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për vitin 2026 dëshmon qartë se Maqedonia e Veriut po mbytet në një rreth vicioz, sidomos me qajsne ndaj Bullgarisë. Procesi i anëtarësimit mbetet i paralizuar për shkak të kalkulimeve politike me ndryshimet kushtetuese, ndërsa lufta ndaj korrupsionit të nivelit të lartë dhe reformat në drejtësi kanë ngecur në vendnumëro.
Ky raport është një goditje e hapur për elitën politike, dhe për të dalë nga kjo amulli, Komisioni Evropian vendos para Shkupit tri urgjenca absolute që duhen zbatuar pa asnjë vonesë: miratimin e menjëhershëm të ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare, ndarjen e mjeteve dhe ekspertëve financiarë për të dënuar korrupsionin e nivelit të lartë, si dhe hartimin e një Kodi të ri Penal që do t’i japë fund njëherë e mirë kulturës së mosndëshkimit, shkruan “Zhurnal.mk”.
