Paris, 10 nëntor, Zhurnal.mk – Franca, e cila akuzoi dje Iranin si përgjegjës për sulmet e mëdha kibernetike që në muajin tetor goditën qindra frigoriferë të lidhur me internetin në supermarketet franceze, “nuk përjashton asnjë mundësi” në kundërpërgjigjen ndaj Teheranit, paralajmëroi sot ministri i Jashtëm, Jean-Noël Barrot.
“Përveç thirrjes së ambasadorit iranian dhe zbatimit të sanksioneve evropiane, ju them gjithashtu se ne nuk përjashtojmë asnjë mundësi. Do të ndërmarrim të gjitha masat, përfshirë edhe ato për të cilat nuk do të flasim publikisht, që ne i konsiderojmë proporcionale dhe të nevojshme për të parandaluar sulme të tjera dhe për të ndëshkuar autorët e këtij agresioni të papranueshëm”, deklaroi ministri për televizionin Franceinfo.
“Doktrina franceze e mbrojtjes kibernetike u jep autoriteteve një sërë mundësish për të ndërmarrë veprime, edhe pse ne nuk zbulojmë përmbajtjen e tyre të saktë”, theksoi ai.
Sipas ministrit, objektivi është të “parandalohen të gjithë ata që mund të mendojnë, në Iran apo gjetkë, të përsërisin veprime të tilla”.
I pyetur nëse Irani mund të jetë përgjegjës edhe për sulmet kibernetike ndaj një kompanie që ofronte shërbime frigoriferike për Institutin Francez të Gjakut, bankës franceze ”Crédit Mutuel Arkéa” apo Drejtorisë së Financave Publike, ministri i Jashtëm tha se nuk ishte në gjendje të përgjigjej “për këto çështje”, pasi hetimet janë ende në zhvillim.
Franca i atribuoi zyrtarisht dje përgjegjësinë për sulmin kibernetik një njësie të specializuar në fushën kibernetike, që i përket Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.
Sulmi ndodhi gjatë natës së 11-12 tetorit, sistemet elektronike të kontrollit të frigoriferëve në supermarketet e rreth 700 pikave të shitjes në Francë.
Ndërkohë, Prokuroria e Parisit ka kërkuar lëshimin e urdhër-arresteve ndërkombëtare ndaj dy drejtuesve të kësaj njësie, e cila mban emrin Shahid Kaveh.

