Internet falas në 64 komuna, mbi 200 mijë qytetarë do të përfitojnë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 10 nëntor, Zhurnal.mk – Internet pa tela falas me shpejtësi prej 200 megabitësh në sekondë është siguruar në 72 lokacione në 64 komuna përmes një projekti të mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania, i zbatuar nga GIZ në koordinim me Ministrinë e Transformimit Digjital dhe Telekomin e Maqedonisë.

Deri më tani, në rrjetin pa tela janë regjistruar mbi 200 mijë përdorues dhe janë transmetuar më shumë se 115 terabajt të dhëna. Sipas ambasadorit të BE-së, Mihalis Rokas, projekti është një shembull konkret i bashkëpunimit në kuadër të iniciativës “Ekipi Evropë” dhe konfirmim i prioritetit të lartë që Bashkimi Evropian i kushton lidhshmërisë digjitale.

Ambasadorja gjermane Petra Dreksler theksoi se thelbi i kësaj nisme është përfshirja digjitale dhe sigurimi i qasjes së barabartë në informata, arsim dhe shërbime publike, pavarësisht vendbanimit dhe mundësive financiare të qytetarëve.

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, si lokacione të mundshme për fazën e ardhshme të projektit përmendi Shën Naumin, Liqenin e Dibrës, Mavrovën dhe Kokinon.

Projekti synon të përmirësojë qasjen e qytetarëve në internet dhe të kontribuojë në zvogëlimin e hendekut digjital, veçanërisht në zonat me qasje më të kufizuar në shërbimet moderne të komunikimit.

artikuj të ndërlidhura