Chevrolet ka bërë të qartë se nuk ka plane për të rikthyer së shpejti transmisionin manual në modelin Corvette C8, duke ia lënë këtë mundësi kompanive të specializuara të modifikimeve. Një prej tyre, Peitz Performance Tune, ka arritur ta realizojë këtë projekt, por për ata që dëshirojnë të ndërrojnë vetë shpejtësitë, kostoja do të jetë mjaft e lartë.
Sipas themeluesit të kompanisë, Alex Peitz, në një video të publikuar së fundmi, konvertimi pritet të kushtojë nga 60 mijë deri në 70 mijë dollarë, përveç çmimit të veturës. Për momentin, ky modifikim është i përshtatshëm vetëm për versionin bazë Stingray.
Meqenëse Chevrolet nuk e kishte projektuar Corvette-n me motor në mes për të përdorur transmision manual, realizimi i këtij ndryshimi ka kërkuar punë të konsiderueshme nga ekipi i Peitz.
Edhe pse transmisioni i prodhuar nga Tremec ishte projektuar për t’u përshtatur në C8, veturës i nevojiteshin gjithashtu tufa, leva e ndërrimit të shpejtësive, pajisjet përkatëse dhe softueri i duhur për funksionimin e sistemit.
Një ndihmë për këtë proces ishte fakti se Corvette tashmë posedonte një njësi kontrolli MoTeC, e cila e lehtësoi anashkalimin e kufizimeve të softuerit të veturës.
Modifikimi sjell ndryshime edhe në kabinë, ku krijohet hapësirë për levën e transmisionit në tunelin qendror. Çdo veturë do të pajiset me një konzolë të re qendrore, e cila fsheh kontrollet PRNDL për transmisionin automatik, por ruan rreshtin e butonave dhe përzgjedhësin e mënyrave të vozitjes.
Peitz bëri të ditur se Tremec pritet të nisë prodhimin e transmisionit manual në mesin e vitit 2027. Deri atëherë, kompania do të vazhdojë përmirësimin e paketës së modifikimit, ndërsa fillimisht do t’i kryejë vetë të gjitha instalimet.
Vetëm pasi të fitojë besimin e nevojshëm në sistem, Peitz planifikon të ofrojë një komplet të plotë që mund të instalohet edhe nga punëtoritë e tjera të specializuara.
Kur C8 Corvette doli në treg, ajo u bë gjenerata e parë në historinë e këtij modeli që nuk ofronte transmision manual. Chevrolet mori këtë vendim për dy arsye kryesore: koston dhe preferencat e blerësve.
Sipas Tony Roma, inxhinierit kryesor të modelit, transmisioni manual që përdorej në gjeneratat e mëparshme të Corvette-s ishte pothuajse plotësisht i amortizuar nga pikëpamja e kostos. Kompania vazhdonte ta ofronte sepse shpenzimet për mbajtjen e tij në prodhim ishin të arsyeshme, por konfigurimi i ri i C8 nuk lejonte përdorimin e tij.
Për të pajisur C8 me transmision manual, Chevrolet do të duhej të zhvillonte një kuti tërësisht të re të shpejtësive. Kompania nuk e konsideroi këtë investim të arsyeshëm, pasi blerësit e gjeneratës C7 kishin treguar preferencë të qartë për transmisionin automatik.
Në mars, inxhinieri i Chevrolet, Josh Holder, kishte deklaruar se tregu e kishte bërë të qartë zgjedhjen përmes blerjeve, pasi kërkesa për versionet manuale nuk kishte qenë e mjaftueshme.
– YouTube www.youtube.com

