A do të përfundojnë në tryezat e qytetarëve djathërat dhe kaçkavallët e kthyer nga Kosova?

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 nëntor Zhurnal.mk – Dy dërgesat me produkte të qumështit nga një qumështore e Tetovës, të cilat autoritetet e Kosovës i refuzuan për shkak të pranisë së konstatuar të bakterit *Escherichia coli*, kanë rihapur çështjen e kontrollit dhe sigurisë së ushqimit. Edhe pse Agjencia e Ushqimit e Kosovës konfirmoi se këto dy dërgesa nuk janë lejuar të dalin në treg, mbetet dilema se çfarë ndodh me to pas kthimit në Maqedoninë e Veriut. Qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse ushqimi që shitet në tregun vendor i përmbush standardet e sigurisë dhe kush mban përgjegjësi kur produktet refuzohen jashtë vendit.

Rastet e përsëritura të kthimit të produkteve të qumështit nga një qumështore e Maqedonisë së Veriut në kufirin me Kosovën, për shkak të dyshimeve për pasiguri, ngrenë pikëpyetje serioze mbi kontrollin e ushqimit në vend. Ndërsa autoritetet kosovare refuzojnë dërgesat, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) siguron se kontrollet e saj nuk kanë konstatuar parregullsi.

Megjithatë, nëse rezultatet laboratorike të dy vendeve dallojnë, shtrohet pyetja se kush e garanton sigurinë e produkteve dhe nëse ato që kthehen nga jashtë mund të vendosen në tregun vendor dhe të konsumohen nga qytetarët.

Pas rastit të fundit, shërbimet inspektuese të AUV-së kanë kryer kontroll të jashtëzakonshëm në SHA “Qumështorja Tetovë”. Janë marrë mostra të produkteve të qumështit dhe produkteve të përbëra, si dhe strisho nga sipërfaqet e punës, pajisjet dhe punonjësit, të cilat janë dërguar për analiza në dy laboratorë të pavarur. Rezultatet ende nuk kanë arritur.

“Gjatë kontrollit të jashtëzakonshëm në qumështore janë marrë mostra të produkteve të qumështit dhe produkteve të përbëra, si dhe strisho nga sipërfaqet e punës, pajisjet dhe punonjësit, të cilat janë dërguar për testim në dy laboratorë të pavarur, rezultatet e të cilëve AUV-ja ende nuk i ka pranuar”, informojnë nga Agjencia.

Nga AUV-ja thonë se nuk kanë marrë njoftim zyrtar nga autoritetet kosovare, ndërsa operatori ka paraqitur kërkesë për kthimin e dërgesës, e cila është nën mbikëqyrjen e institucioneve kosovare. Agjencia maqedonase pretendon se kontrollet e deritanishme të rregullta dhe të jashtëzakonshme, si dhe analizat laboratorike të datave 29 prill dhe 21 tetor, nuk kanë treguar parregullsi te produktet e testuara.

Ky nuk është rasti i parë kur produktet e kësaj qumështoreje kthehen nga Kosova. Në fund të prillit ishin refuzuar 12.9 tonë produkte, prej të cilave 980 kilogramë produkte të përbëra ishin asgjësuar për shkak të rezultateve laboratorike të pakënaqshme.

Në gusht, pas një tjetër kthimi të dërgesës, AUV-ja kishte urdhëruar asgjësimin e 1.260 kilogramëve të tjerë produkte qumështi, të cilat autoritetet kosovare i kishin vlerësuar si të pasigurta. Për katër produkte të tjera nga e njëjta dërgesë, analizat e kryera në Maqedoninë e Veriut kishin treguar rezultate të kënaqshme.

Në rastin më të fundit, autoritetet kosovare kanë kthyer dy dërgesa me peshë të përgjithshme prej 12.268 kilogramësh. Është e rëndësishme të theksohet se konstatimet për praninë e *Escherichia coli* mbi kufijtë e lejuar u referohen dërgesave të mëparshme nga prodhuesi dhe jo dy dërgesave të fundit, të cilat nuk janë lejuar të dalin në tregun kosovar.

Rezultatet e ndryshme laboratorike të institucioneve kompetente të të dy vendeve hapin një sërë pyetjesh: a janë testuar të njëjtat seri dhe produkte, a i kanë përfshirë kontrollet të gjitha fazat e prodhimit dhe çfarë ndodh me produktet që kthehen nga jashtë?

Por ky nuk është një rast i izoluar. Dërgesat me speca dhe mollë të kthyera nga Bullgaria për shkak të përqendrimit të shtuar të pesticideve, si dhe produktet nga Maqedonia e Veriut të refuzuara në tregjet e Kroacisë dhe Malit të Zi për shkak të parregullsive të konstatuara, e shtojnë shqetësimin për cilësinë dhe sigurinë e prodhimit vendor.

“Kur dërgesat me produkte tona kthehen nga jashtë për shkak të parregullsive të konstatuara, në mënyrë të pashmangshme shtrohet çështja e cilësisë së prodhimit maqedonas. Nuk bëhet fjalë vetëm për produktet e destinuara për eksport, por edhe për ato që plasohen në tregun vendor. Prodhuesit kërkojnë subvencione dhe mbështetje shtetërore, por njëkohësisht kanë përgjegjësi të ofrojnë ushqim cilësor dhe të sigurt. Këto raste e dëmtojnë besimin te produktet maqedonase dhe hapin pyetjen nëse qytetarët po konsumojnë ushqim të sigurt”, deklarojnë për gazetën “Veçer” nga Ministria e Bujqësisë.

Nga atje shtojnë se mbështetja shtetërore për bujqësinë duhet të shoqërohet me kontroll dhe përgjegjësi, ndërsa siguria e ushqimit nuk duhet të jetë objekt i interpretimeve dhe garancive të ndryshme.

Qytetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë konsumojnë, nëse produktet që refuzohen jashtë vendit janë të sigurta për përdorim në tregun vendor, si trajtohen ato pas kthimit dhe kush mban përgjegjësi kur konstatohen parregullsi.

Institucionet kompetente duhet të japin përgjigje të qarta, të argumentuara dhe transparente, jo vetëm për këtë rast, por edhe për shumë çështje të tjera që lidhen me kontrollin, cilësinë dhe sigurinë e ushqimit që çdo ditë përfundon në tryezat e qytetarëve.

https://www.vecer.press/ke-zavrshat-li-vratenite-sirena-i-kashkaval-od-kosovo-na-makedonskite-trpezi/

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër