Shkup, 23 nëntor, Zhurnal.mk – Muaji nëntor zë një vend të veçantë në kujtesën kolektive të shqiptarëve. Ky muaj nis me përkujtimin e Kongresit të Manastirit dhe kulmon me Ditën e Flamurit dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Përtej karakterit ceremonial, këto data kanë shërbyer tradicionalisht si indikator i pozitës së shqiptarëve në shoqëri, i vëmendjes institucionale ndaj identitetit të tyre dhe i raportit që pushteti ndërton me simbolikat kombëtare. Pikërisht për këtë arsye, mënyra se si shënohen festat e nëntorit nuk mund të shihet vetëm si çështje protokolli, por edhe si reflektim i klimës politike dhe i disponimit etnik në Maqedoninë e Veriut, shkruan Zhurnal.
Si u shënua dje dita e alfabetit?
Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe u shënua këtë vit me një seancë solemne në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, kushtuar një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë kulturore të shqiptarëve. Fakti që kjo datë u përkujtua në mënyrë institucionale dëshmon se Kongresi i Manastirit vazhdon të gëzojë respekt zyrtar dhe mbetet pjesë e kalendarit të rëndësishëm shtetëror. Vetë organizimi i një seance të posaçme ishte një mesazh se gjuha shqipe dhe alfabeti i saj përbëjnë vlera të pranuara në mozaikun kulturor të vendit.
Megjithatë, krahas respektit institucional u vërejt se kremtimi nuk pati jehonën e gjerë publike që shpesh e ka karakterizuar këtë datë në të kaluarën. Dita e Alfabetit historikisht ka qenë jo vetëm një ngjarje protokollare, por edhe një mobilizim kulturor e akademik me aktivitete të shumta në universitete, shkolla, komuna dhe institucione kulturore. Këtë vit, prania e aktiviteteve të tilla ishte më e kufizuar në perceptimin publik.
Një nga figurat politike që i kushtoi vëmendje kësaj dite ishte Izet Mexhiti së bashku me Bilall Kasamin si bashkëkryetar të VLEN-it pritën kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin në mbrëmje e më herët atë të Shqipërisë, Edi Rama edhe pse ndaras mesazhi u përçua. Mexhiti ka theksuar se alfabeti i përbashkët mundësoi që shqipja të lexohej dhe kuptohej në të gjitha hapësirat shqiptare. Mesazhi i tij ishte i fokusuar te rëndësia e ruajtjes së gjuhës, edukimit dhe fuqizimit të rolit të shqipes në jetën publike.
Nëse Dita e Alfabetit është një nga shtyllat e identitetit kulturor shqiptar, atëherë matësi i suksesit nuk duhet të jetë vetëm organizimi i ceremonive, por edhe shkalla e përfshirjes së shoqërisë në kremtim. Sa më shumë që kjo ditë të jehojë në institucione, media, shkolla dhe hapësirën publike, aq më i fortë bëhet mesazhi për rëndësinë e trashëgimisë që la Kongresi i Manastirit.
Si u festonte më herët dita e alfabetit?
Pas ndryshimit të pushtetit, është e natyrshme të shtrohet pyetja nëse ka ndryshuar edhe qasja ndaj festave shqiptare. A po ruhen standardet e mëhershme të organizimit dhe promovimit të tyre, apo po vërehen dallime në peshën që u jepet këtyre datave? Përgjigjja nuk kërkon vetëm krahasim të deklaratave politike por edhe vëzhgim të atmosferës publike dhe institucionalizimit të këtyre ngjarjeve.
Në vitet e kaluara, Dita e Alfabetit shoqërohej me një atmosferë më të dukshme publike. Komuna, institucione kulturore, universitete dhe organizata të ndryshme organizonin akademi solemne, ekspozita, promovime librash dhe aktivitete edukative. Që për të qenë nuk është se kanë munguar ose nuk ka pasur fare organizime të tilla por kanë qenë më pak të dukshme. Madje, në shumë raste, nëntori kthehej në një muaj të tërë aktivitetesh kushtuar historisë dhe identitetit shqiptar, duke krijuar ndjesinë se këto festa përjetoheshin nga një komunitet i tërë dhe jo vetëm nga institucionet.
Natyrisht, festa të tilla nuk do të duhej të varen nga rotacionet politike. Kongresi i Manastirit nuk i përket një partie, një qeverie apo një koalicioni të caktuar. Ai është një arritje historike e mbarë shqiptarëve dhe rëndësia e tij mbetet e pandryshueshme pavarësisht se kush qeveris. Pikërisht për këtë arsye, ndryshimi i pushtetit nuk duhet të sjellë ndryshim të nivelit të vëmendjes ndaj datave që përbëjnë themelin e identitetit kulturor kombëtar.
Sfida e vërtetë nuk është nëse festa është shënuar apo jo, por nëse ajo po avancon nga viti në vit. Nevoja nuk është për më shumë fjalime politike, por për më shumë projekte kulturore, botime, aktivitete shkollore, përfshirje të të rinjve dhe promovim të trashëgimisë së Kongresit të Manastirit. Vetëm në këtë mënyrë Dita e Alfabetit mund të jehojë më fuqishëm dhe të fitojë dimensionin që e meriton në jetën publike të shqiptarëve.
Kujtojmë që, festat e nëntorit janë më shumë se kujtime historike ato janë pasqyrë e vetëdijes kombëtare dhe e mënyrës se si institucionet e shohin dhe e trajtojnë identitetin shqiptar. Ndryshimet politike mund të sjellin prioritete të reja, por nuk do të duhej të ndikojnë në peshën e datave që kanë formësuar historinë dhe kulturën e një populli. /Zhurnal.mk

