Gerapetritis: Maqedonia e Veriut ka bërë tashmë përparim të konsiderueshëm në disa fusha

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 nëntor, Zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut tashmë ka shënuar përparim të konsiderueshëm në disa fusha, veçanërisht në transformimin digjital, harmonizimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, si dhe në aspekte të reformës së administratës publike. Urime, i dashur Timço!, theksoi ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Jorgos Gerapetritis, në takimin ministror të grupit „Miqtë e Ballkanit Perëndimor“, duke iu referuar përparimit të arritur nga vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Kreu i diplomacisë greke është nikoqir i takimit ku marrin pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të gjashtë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjashtë partnerëve të Ballkanit Perëndimor, mes tyre edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, si dhe eurokomisionerja për Fqinjësi dhe Zgjerim, Marta Kos, ndërkaq, nënkryetarja e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, nuk arriti të vijë në Athinë për shkak të grevës në trafikun ajror në Belgjikë.

Në fillim të seancës plenare, në fjalimin hyrës, Gerapetritis foli për momentumin që ekziston në rrugën evropiane të vendeve të rajonit, duke theksuar se është e nevojshme që ai të ruhet, të shfrytëzohet dhe të forcohet më tej. Ai shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen dhe interesimin për këtë takim, ndërsa përsëriti edhe një herë mbështetjen e Greqisë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, e cila nisi me Agjendën e Selanikut në vitin 2003.

Tema e sesionit është ruajtja e momentumit të procesit të zgjerimit, ndërsa shefi i diplomacisë greke theksoi se ky momentum tashmë ekziston, gjë që dëshmohet nga diskutimet intensive aktuale në prag të zgjerimit të ardhshëm. Këto diskutime, siç tha ai, janë të përqendruara në zgjidhjet e nevojshme institucionale dhe mënyrat për të mbështetur më tej rrugën evropiane të partnerëve tanë.

Ai shtoi se rajoni do të përfitojë nga karakteri transformues i këtij procesi të anëtarësimit, ndërsa integrimi në Bashkimin Evropian, sipas tij, „do të luajë një rol të rëndësishëm në forcimin e vetë Unionit“.

“Ballkani Perëndimor ndodhet në një udhëkryq jashtëzakonisht të ndjeshëm gjeopolitik, i pozicionuar strategjikisht mes Evropës Lindore dhe Mesdheut Lindor – dy rajone që, për fat të keq, përfaqësojnë vatra të krizave ndërkombëtare. Ballkani Perëndimor është i domosdoshëm për përmbylljen e unitetit politik të kontinentit tonë dhe për krijimin e vazhdimësisë gjeografike të Bashkimit Evropian. Për të gjithë ne, vendet e Ballkanit Perëndimor janë fqinjët tanë të drejtpërdrejtë, me të cilët ndajmë sfida dhe një të ardhme të përbashkët. Pikërisht për këtë arsye, momentumi duhet të ruhet dhe të forcohet më tej“, theksoi shefi i diplomacisë greke.

Lidhur me takimin e sotëm, ai tha se qëllimi është një shkëmbim i hapur mendimesh për përparimin e arritur, sfidat aktuale dhe mënyrat më të mira për veprimet e mëtejshme.

Ai theksoi se „është arritur vërtet përparim i konsiderueshëm“ dhe iu referua secilit vend veçmas, duke përcjellë urimet e tij për ministrat.

Gerapetritis theksoi se po aq të rëndësishme janë edhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare për „ndërtimin e besimit, i cili është i domosdoshëm mes vendeve anëtare në një Union të zgjeruar“.

“Si vendi më i vjetër anëtar i Bashkimit Evropian në rajon, Greqia nuk do të kursejë përpjekjet për të mbështetur aspiratat evropiane të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në prag të presidencës sonë me Këshillin e Bashkimit Evropian në vitin 2027. Në këtë mënyrë do të sigurojmë një Union me anëtarë të barabartë, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga anëtarësimi“, deklaroi shefi i diplomacisë greke.

Në prag të takimit të sotëm, ministrat e Punëve të Jashtme të gjashtë vendeve të BE-së dhe gjashtë vendeve të rajonit, mbrëmë morën pjesë në një darkë joformale. Gerapetritis tha se patën mundësinë të shkëmbenin mendime „në një atmosferë më joformale, që është gjithmonë mënyra më e këndshme për komunikim të ndërsjellë“.

Takimi filloi herët në mëngjes, ndërsa në margjinat e tij ministrat po zhvillojnë takime dypalëshe.

Grupin „Miqtë e Ballkanit Perëndimor“ e përbëjnë Italia, Austria, Greqia, Çekia, Sllovakia, Kroacia dhe Sllovenia, ndërsa qëllimi i tij është të mbështesë përshpejtimin e procesit të anëtarësimit dhe integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

artikuj të ndërlidhura