Prishtinë, 23 nëntor, Zhurnal.mk – Gjykata e Apelit e Kosovës ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj N.M. dhe G.P., si dhe dënimin me 30 vjet burgim ndaj K.K., në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Në njoftimin e Gjykatës së Apelit thuhet se janë refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrojtësit të palës së dëmtuar dhe mbrojtësve të të akuzuarve, ndërsa është vërtetuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 6 korrik 2026.
“Gjykata e Apelit e Kosovës, Departamenti për Krime të Rënda, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrojtësit të palës së dëmtuar dhe mbrojtësve të të akuzuarve N.A., G.P. dhe K.K., duke e vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, PKR.nr.3/25, të datës 06.07.2026”, thuhet në njoftim.
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, më 6 korrik 2026, i kishte shpallur fajtorë të akuzuarit për veprat penale për të cilat ngarkoheshin.
N.M. ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, ndërsa G.P. ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë në bashkëkryerje dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
K.K. ishte dënuar me 30 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë.
“Dënimet këto të cilat do të ekzekutohen menjëherë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit”, thuhet në njoftimin e Apelit, duke bërë të ditur se në dënimet e shqiptuara është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 1 dhjetori 2023 deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Në aktgjykimin e shkallës së parë, akuza ndaj K.K. për moslajmërim të veprave penale apo kryesve të tyre ishte refuzuar, pasi prokuroria ishte tërhequr nga kjo akuzë gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, duke konstatuar se dispozitivi është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret, si dhe në përputhje me arsyetimin e aktgjykimit.
“Gjykata e Apelit, pas mbajtjes së seancës, si dhe pas analizimit dhe vlerësimit të aktgjykimit të ankimuar, ka vlerësuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është përfshirë në shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, të parapara në nenin 384 të KPPK, e as në nenin 394 të KPPK”, thuhet në njoftim.
Apeli ka konstatuar se nuk qëndrojnë as pretendimet ankimore për vërtetim të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkelje të ligjit penal, duke vlerësuar se faktet dhe rrethanat e konstatuara nga shkalla e parë janë të drejta.
Sipas Gjykatës së Apelit, shkalla e parë i ka vlerësuar drejt edhe rrethanat që ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit, në përputhje me nenet 69 dhe 70 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Si rrethana rënduese, gjykata ka përmendur shkallën e lartë të dashjes për të gjithë të akuzuarit, motivin e kryerjes së veprës penale për N.M., i cili, sipas gjykatës, kishte vepruar edhe me qëllim të përfitimit material, si dhe mënyrën e kryerjes së veprës nga N.M. dhe G.P., në praninë e dy fëmijëve të së ndjerës Liridona Ademaj.
Gjykata ka marrë parasysh edhe faktin se viktima ishte në moshë të re, se ishte e pambrojtur, si dhe sjelljet e të akuzuarve para dhe pas kryerjes së veprës penale.
“Tutje sjelljet e të akuzuarve para dhe pas kryerjes së veprës penale, ku para kryerjes së veprës penale të akuzuarit e kanë bërë planifikimin e detajuar se si ta privojnë nga jeta tani të ndjerën, ndërsa, pas kryerjes së veprës penale të akuzuarit kanë vazhduar me aktivitetet e tyre edhe të argëtimit, duke shkuar pra në lokale, pa treguar aspak dhimbje për tani të ndjerën”, thuhet në njoftim.
Apeli ka vlerësuar gjithashtu se dënimi prej 30 vjetësh ndaj K.K. është në përputhje me dispozitat ligjore, pasi për rastet e ndihmës në kryerjen e veprës penale parashihet shqiptimi i një dënimi më të butë sesa ndaj kryerësit të veprës penale.
“Dispozita në fjalë shprehimisht parasheh se në rastet e ndihmës kryerësit të veprës penale i shqiptohet dënim më i butë se sa kryerësit të veprës penale, prandaj, në këtë drejtim gjykata e shkallës së parë, edhe nuk ka pasur mundësi që të akuzuarit K.K., t’i shqiptojë dënim me burgim të përjetshëm”, thuhet në njoftim.

