Ismaili merr pjesë në ceremoninë zyrtare të lansimit dhe prezantimit të platformës TIPS Clone në Romë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 23 nëntor, Zhurnal.mk – Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), zAhmet Ismaili, i shoqëruar nga Zëvendësguvernatori Dardan Fusha dhe bashkëpunëtorë, mori pjesë në ceremoninë zyrtare të prezantimit të platformës TIPS Clone, të organizuar nga Banka e Italisë në Romë.

Data e sotme shënon një moment të rëndësishëm për modernizimin e infrastrukturës së pagesave në rajon, me funksionalizimin e platformës TIPS Clone në pesë vendet pjesëmarrëse.

Përmes një komunikate për media thuhet se për Kosovën, kjo përkon me fillimin e zbatimit gradual të Sistemit të Pagesave të Shpejta të Kosovës (TIPS-K), përmes të cilit qytetarët dhe bizneset do të mund të realizojnë transferta të menjëhershme të mjeteve, në kohë reale, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë dhe 365 ditë në vit. Në kuadër të këtij procesi, BQK-ja ka nisur zbatimin e TIPS-K sipas planit të përcaktuar, ndërsa janë realizuar me sukses edhe transferet e para të menjëhershme.

Për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, funksionalizimi i TIPS-K përfaqëson një nga zhvillimet e rëndësishme në procesin e modernizimit të sistemit të pagesave. Ky sistem pritet të kontribuojë në rritjen e efikasitetit të transaksioneve, përmirësimin e qarkullimit të mjeteve financiare, mbështetjen e aktiviteteve ekonomike dhe zgjerimin e përdorimit të pagesave elektronike nga qytetarët dhe bizneset.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës vlerëson bashkëpunimin me Bankën e Italisë, Bankën Qendrore Evropiane, Bankën Botërore dhe institucionet e tjera partnere, si dhe angazhimin e bankave komerciale dhe ekipeve profesionale që kanë kontribuar në realizimin e këtij projekti.

artikuj të ndërlidhura