Prishtinë, 23 nëntor Zhurnal.mk – Kërkimet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë vazhdojnë të rikthejnë në vëmendje plagët e pambyllura të luftës dhe përgjegjësinë për krimet e kryera. Zbulimet e fundit të mbetjeve mortore dhe identifikimi i viktimave, pas më shumë se 27 vjetësh, dëshmojnë se familjet ende presin përgjigje për fatin e të afërmve të tyre.
Një nga pengesat kryesore në këtë proces mbetet mungesa e informacioneve nga Serbia, veçanërisht qasja në arkivat ushtarake dhe policore, të cilat mund të ndihmojnë në identifikimin e lokacioneve të varrezave masive. Në një kohë kur në Serbi kanë ndodhur ndryshime politike dhe Lista Studentore ka fituar shumicën parlamentare, shtrohet pyetja nëse Beogradi do të jetë i gatshëm të ndryshojë qasjen dhe të bashkëpunojë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
A mund të dëshmohet ndryshimi politik në Serbi përmes hapjes së arkivave? A duhet që kjo çështje të jetë kusht i panegociueshëm në dialogun Kosovë–Serbi dhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve?
Lidhur me këtë çështje, për “Bota sot” ka folur profesori dhe gjeneral-majori në pension, Muhamet Racaj, i cili vlerëson se ndryshimi i pushtetit në Serbi duhet të provohet përmes veprimeve konkrete, mbi të gjitha përmes hapjes së arkivave dhe bashkëpunimit të plotë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Ai thekson se çështja e të pagjeturve nuk është vetëm çështje humanitare, por lidhet drejtpërdrejt me drejtësinë, sigurinë dhe përgjegjësinë e institucioneve që kanë vepruar gjatë luftës.
“Gjetja e mbetjeve mortore në zonën e Shtërpcës dhe identifikimi i viktimave të rrëmbyera gjatë luftës në Kosovë janë dëshmi se plagët e luftës së viteve 1998–1999 vazhdojnë të mbeten të hapura. Kjo përbën një çështje të rëndë humanitare, juridike dhe të sigurisë.
Nga këndvështrimi i sigurisë dhe i përgjegjësisë shtetërore, çështja e të pagjeturve nuk mund të trajtohet vetëm si problem i familjeve që presin të mësojnë fatin e të afërmve të tyre. Ajo lidhet drejtpërdrejt me dokumentimin e krimeve të luftës, ruajtjen e provave materiale, përgjegjësinë institucionale dhe detyrimin për të zbardhur mekanizmat e veprimit të strukturave ushtarake, policore dhe të sigurisë që kanë vepruar gjatë konfliktit”, shprehet Racaj.
Duke komentuar mundësinë që ndryshimi i pushtetit në Serbi të sjellë një qasje të re ndaj çështjes së të pagjeturve, gjenerali në pension thotë se kritikat e Listës Studentore ndaj qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit nuk janë dëshmi e mjaftueshme se ka ndryshuar edhe politika e Beogradit ndaj Kosovës.
Sipas tij, testi i vërtetë për pushtetin e ri do të jetë gatishmëria për bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë, si dhe transparenca në ofrimin e dokumentacionit që mund të ndihmojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
“Ndryshimi politik në Serbi mund të krijojë një mundësi për rishikimin e politikave të mëparshme, por nuk duhet të ngatërrohet me ndryshimin automatik të strategjisë shtetërore ndaj Kosovës. Lista Studentore, e cila ka fituar shumicën parlamentare, ka kritikuar disa aspekte të qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit, por qëndrimet e saj të deritanishme për Kosovën tregojnë se nuk kemi ende dëshmi për një ndryshim thelbësor të politikës ndaj çështjes shqiptare dhe të së kaluarës së luftës.
Prandaj, nuk duhet të gjykojmë një pushtet të ri vetëm mbi bazën e deklaratave politike, por mbi veprimet konkrete që do të ndërmarrë. Testi i parë i besueshmërisë së tij duhet të jetë gatishmëria për të bashkëpunuar me institucionet e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë, pa pengesa politike dhe pa fshehje të dokumentacionit”, deklaron ai.
Hapja e arkivave serbe, kyçe për zbardhjen e fatit të të zhdukurve
Racaj vlerëson se një nga hapat më të rëndësishëm që duhet të ndërmarrë Serbia është hapja e arkivave ushtarake, policore dhe të inteligjencës, pasi ato mund të përmbajnë të dhëna vendimtare për operacionet gjatë luftës, transportimin dhe zhvendosjen e trupave të viktimave, si dhe lokacionet e varrezave masive.
Ai thekson se këto dokumente mund të ndihmojnë edhe në identifikimin e njësive përgjegjëse dhe në rindërtimin e zinxhirit të komandimit të strukturave që kanë vepruar gjatë konfliktit.
“Arkivat e ish-ushtrisë jugosllave, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme, policisë dhe shërbimeve të inteligjencës serbe mund të përmbajnë informacione vendimtare për operacionet ushtarake, transportimin e trupave, zhvendosjen e kufomave dhe identifikimin e lokacioneve ku janë varrosur viktimat.
Në analizën e sigurisë, këto dokumente përbëjnë burime primare të inteligjencës historike dhe operative. Ato mund të ndihmojnë në rindërtimin e zinxhirit të komandimit, identifikimin e njësive përgjegjëse dhe përcaktimin e lokacioneve të varrezave masive. Për këtë arsye, qasja në arkiva nuk mund të mbetet në vullnetin e një partie politike apo të një institucioni të vetëm”, thekson Racaj.
Ai rikujton se Kosova dhe Serbia në vitin 2023 miratuan Deklaratën për Personat e Zhdukur, ndërsa në dhjetor të vitit 2024 u dakorduan edhe kushtet e referencës për Komisionin e Përbashkët. Megjithatë, sipas tij, këta mekanizma duhet të shoqërohen me zbatim konkret, transparencë dhe qasje të plotë në dokumentacionin përkatës.
Kosova duhet ta ndërkombëtarizojë çështjen e të pagjeturve
Gjenerali në pension vlerëson se institucionet e Kosovës duhet ta mbajnë çështjen e të pagjeturve në agjendën e partnerëve ndërkombëtarë, duke kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, NATO-s, OKB-së dhe organizatave që merren me këtë çështje.
Sipas tij, zbardhja e fatit të të zhdukurve duhet të mbetet pjesë e pandashme e dialogut Kosovë–Serbi dhe e çdo procesi të normalizimit të marrëdhënieve.
“Institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë të kërkojnë mbështetjen e SHBA-së, Bashkimit Evropian, NATO-s, OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare që merren me personat e zhdukur. Kjo çështje duhet të mbetet pjesë e pandashme e dialogut Kosovë–Serbi dhe e çdo procesi të normalizimit të marrëdhënieve.
Njëkohësisht, duhet të ndërtohet një sistem i koordinuar i informacionit, ku të ndërthuren dokumentacioni arkivor, dëshmitë e dëshmitarëve, të dhënat e inteligjencës, analizat forenzike, identifikimi përmes ADN-së dhe teknologjitë moderne të zbulimit të varrezave masive.
Nuk duhet lejuar që çështja e të pagjeturve të shndërrohet në instrument të negociatave politike apo në mjet për relativizimin e përgjegjësisë për krimet e kryera gjatë luftës”, përfundon Racaj për “Bota sot”.

