AGK dënon gjuhën e kryeministrit Kurti kundër mediave dhe gazetarëve

Nga D. V.
320 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 2 prill, Zhurnal.mk – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka dënuar gjuhën e kryeministrit të vendit, Albin Kurti, i cili në fjalimin e sotëm në Kuvend, sërish ka sulmuar mediat dhe gazetarët.

AGK-ja e ka dënuar këtë gjuhë të kreut të ekzekutivit, duke e cilësuar atë si retorikë nxitëse dhe akuzuese kundër mediave dhe gazetarëve

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shfrytëzuar foltoren e Kuvendit të Kosovës, këtë të enjte, për të vazhduar sulmet e tij ndaj mediave dhe gazetarëve, duke folur mes tjerash, për “hyrjen e parave në mënyrë të padukshme”. Kryeministri në fjalën e tij ka thënë se “një qytetar i dezinformuar nuk është një qytetar i lirë, por është i manipuluar dhe, siç tregojnë raportet, ky manipulim po vjen direkt nga armiqtë tanë, por fatkeqësisht po gjejnë edhe argatin e tyre brenda vendit tonë”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Organizata që mbron të drejtat e gazetarëve e ka dënuar fuqishëm këtë retorikë nxitëse dhe akuzuese të Kurtit kundër mediave dhe gazetarëve në Kosovë, duke i vlerësuar ata “argatë të armiqve”.

Një gjuhë e tillë, sipas AGK-së, është vazhdimësi e fushatave të parreshtura të Kurtit, partisë dhe Qeverisë së tij, kundër gazetarëve dhe mediave me synim minimin e raportimit të pavarur dhe të lirë.

AGK-ja e ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të angazhohet për një proces transparent për hartimin e ligjit të ri të KPM-së me gjithëpërfshirje në diskutime, të ndalojë presionin politik ndaj Transmetuesit Publik, RTK dhe menjëherë të heqë dorë nga fushatat e organizuara të denigrimit të mediave dhe gazetarëve.

“Sulmi i ri i Kurtit kundër mediave dhe gazetarëve vjen vetëm pak ditë pas vizitës së një misioni faktmbledhës të Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve që konkludoi se Kosova ka shënuar rënie të vazhdueshme të lirisë së medias në vitet e fundit.”, përfundon regimi i AGK-së.

Ndryshe, Kurti në adresimin e tij para deputetëve në Kuvend, ka folur edhe për mediat dhe lirinë e shprehjes, duke përmendur “raportimet për financime me thasë parash”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër