Ahmeti në pritjen solemne të organizuar në Ambasadën e Kosovës në Washington

Nga D. V.
385 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, mori pjesë në pritjen solemne të organizuar në Ambasada e Republikës së Kosovës në Washington, D.C. me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në prani të përfaqësuesve të institucioneve amerikane, trupit diplomatik, komunitetit shqiptaro-amerikan dhe miqve të Kosovës, ai theksoi se 17 Shkurti përfaqëson një moment historik për popullin e Kosovës dhe një dëshmi të partneritetit të palëkundur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fjalën e tij, Zëvendësministri Ahmeti nderoi sakrificën e të gjithë atyre që humbën jetën gjatë luftërave dhe valëve të gjenocidit serb në Kosovë, duke theksuar se liria nuk iu dhurua Kosovës, por u fitua me qëndresë, sakrificë dhe besim të palëkundur në liri.

Ai shprehu mirënjohje të veçantë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen vendimtare në momentet më të errëta të historisë sonë dhe për përkrahjen e vazhdueshme në konsolidimin e shtetësisë, forcimin e demokracisë dhe zhvillimin e vendit. Gjithashtu, ai vlerësoi kontributin historik të diasporës shqiptare në SHBA, e cila për më shumë se një shekull ka qenë në vijën e parë të angazhimit për çështjen e Kosovës dhe shqiptarëve dhe mbetet një urë e fuqishme lidhëse ndërmjet dy vendeve.

Duke e cilësuar Kosovën si një histori suksesi të sakrificës, qëndresës, demokracisë dhe partneritetit transatlantik, ai theksoi se rruga e saj ka qenë një rrugë shekujsh, jo vitesh. Zëvendësministri Ahmeti tha se lufta çlirimtare nuk ishte simetrike, por ishte e drejtë dhe e pastër, dhe u fitua me mbështetjen e partnerëve, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Në mbyllje, ai rikonfirmoi përkushtimin e popullit dhe qeverisë së Kosovës për të qenë një partnere e besueshme, aleate e fortë dhe kontribuese aktive për paqe, stabilitet dhe prosperitet në rajon dhe më gjerë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër