Shkup, 18 qershor, Zhurnal.mk – Seanca e sotme parlamentare e dedikuar pyetjeve opozitare të deputetëve kaloi në akuza të ndërsjella për atë se sa ky institut e ka përmbushur qëllimin. Opozita vuri re se në këto seanca shpesh mungojnë ministrat ndaj të cilëve janë drejtuar pyetjet, edhe pse sipas Rregullores ata kanë detyrim të jenë të pranishëm, ndërsa pushteti vlerësoi se instituti i pyetjeve opozitare po përdoret për politikanizëm.
Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE, Nikola Micevski, tha se megjithëse ideja ishte që koncepti i pyetjeve opozitare të mundësonte pyetje dhe përgjigje të shkurtra, opozita e keqpërdor për politikanizëm dhe kërkesa për pauza.
“Me keqardhje mund të konstatoj se instituti i pyetjeve opozitare nuk e ka përmbushur qëllimin, sepse qëllimi nuk ishte politikanizëm, por pyetje dhe përgjigje të shkurtra, të vinin ministrat dhe zëvendësit dhe të përgjigjeshin. Në dy orë pyetje opozitare, të drejtuara konkretisht ndaj ministrive, kemi kërkesa për pauza me arsyetimin se ministrat nuk janë këtu, gjë që nuk është e vërtetë”, tha Micevski.
Ai theksoi se mungesa e ministrit të Transportit është e justifikuar, pasi ai ndodhet në samit në Selanik, ku, siç tha, ka punë serioze për nënshkrime.
Mungesa e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit ishte arsyeja për reagimin e partisë Levica, e cila theksoi se ministrat me mosardhjen në këto seanca po shkelin Rregulloren e Kuvendit.
“Vërejtja ime procedurale ka të bëjë me zbatimin e pasaktë të nenit 42, paragrafi 5 të Rregullores së Kuvendit. Ky paragraf parashikon që në seancën për pyetje opozitare të jenë të pranishëm kryeministri dhe anëtarët e qeverisë ndaj të cilëve është paralajmëruar se do t’u bëhet pyetje. Përjashtim është parashikuar vetëm për kryeministrin kur ka arsye objektive dhe të paevitueshme, dhe atëherë ai mund të dërgojë zëvendës. Për anëtarët e tjerë të qeverisë nuk është parashikuar një përjashtim i tillë. Ne, në përputhje me afatin rregullor, pesë ditë më parë paralajmëruam se pyetje do t’i bëhej ministrit të Transportit Nikoloski, por ministri nuk është i pranishëm dhe në kundërshtim me Rregulloren dërgon zëvendës, gjë që nuk është e lejuar”, tha Sashko Jancev nga Levica.
Jancev njoftoi se do të paraqesin propozim-ndryshime në Kodin Penal me qëllim të futjes së një vepre të re penale – mos përgjigjja ndaj thirrjes parlamentare.
Reagimi i Jancev erdhi pasi deputeti Amar Mecinoviq parashtroi pyetje lidhur me banimin për ministrin e Transportit, por për shkak të mungesës së tij, përgjigjen e dha zëvendësministrja e Transportit.
